Shqipëria ka shënuar një rezultat të madh në Kampionatin Botëror për të Rinj në Peshëngritje, aktivitet që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri.
Garat e këtij Botërori po zhvillohen në Durrës që prej datës 25 mars.

Sportistja e talentuar Enkileda Carja e Elbasanit ka arritur të fitojë të mërkurën më 28 mars, dy medalje në këtë aktivitet.
Enkileda Carja, e cila e ka nisur garën nga Bateria B, ka bërë një paraqitje shumë të mirë duke u ngjitur dy herë në podiumin e medalistëve, teksa ka fituar një medalje bronzi në stilin e shkëputjes dhe një tjetër bronzi në dygarësh.
15-vjeçarja kuqezi, që stërvitet nga trajnerja e palodhur Eglantina Kalemi, konfirmohet si një talent i madh i shtangës, duke shënuar rezultate të shkëlqyera ndonëse ka patur përballë rivale më të mëdha në moshë.
Peshëngritësja jonë Enkileda Carja konkurroi në mesditë në Baterinë B të peshave deri në 59 kg. Në stilin e shkëputjes ajo ngriti 87 kg, duke fituar kështu medaljen e bronzit. Ndërsa në stilin shtytje ajo ngriti 100 kg, duke u klasifikuar në vendin e pestë. Ndërsa duke ngritur 187 kg në total, pesëmbëdhjetëvjeçarja jonë siguroi medalje bronzi edhe në dygarësh.

Enkileda Carja është e vetmja sportiste në këtë Kampionat Botëror që arrin të futet në zonën e medaljeve duke u nisur nga Bateria B.
Për këtë sukses të sportistes së Elbasanit ka reaguar me anë të një postimi në Facebook edhe Kryetari i Bashkisë, z. Gentian Llatja.
Me këtë arritje, falë punës së palodhur edhe të tranieres Eglantina Kalemi, Elbasani, gjithë lugina e Shkumbinit (po të kemi parasysh edhe arritjet e peshëngritësve të Shtërmenit apo Peqinit) tashmë, do të shquhet për kontributin që po i jep peshëngritjes sonë kombëtare edhe për femra. Krahas emrave të shumtë të djemvë kampionë që kanë dalë nga tranierët, si i paharruari Vehap Xhindoli, apo Ilir Çela, Leonard Toska etj., tani, edhe për emrin e tranieres së 15 vjeçares Enkileda Carja, Elbasani dhe e gjithë Shqipëria duhet t’i jenë mirënjohës edhe Eglantina Kalemit. Emri i saj ka kohë që flet shumë…