Liderët botërorë kanë dënuar skenat e dhunës në Washington, aty ku protestuesit që mbështesin Presidentin Donald Trump, bastisën ndërtesën e Capitol-it. Ngjarja bëri që seanca e Kongresit për certifikimin e fitores elektorale të Joe Biden të pezullohej.

Shumë liderë bënë thirrje për një transferim të qetë e të rregullt të pushtetit, duke e përshkruar atë që ndodhi si të “tmerrshme” dhe një sulm ndaj demokracisë. Kryeministri britanik Boris Johnson, i dënoi ato që i cilësoi si “skena të turpshme”.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës udhëheqin demokracinë në botë dhe është jetësore që të ketë një transferim të qetë dhe të rregullt të pushtetit“, shkruajti ai në një postim në Twitter. Të tjerë politikanë britanikë pasuan me reagimet e tyre, duke e quajtur një “sulm direkt të demokracisë”.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka pasur reagimin më të theksuar  dhe të drejtpërdrejtë, nga liderët më të rëndësishëm botërorë.

“Pamjet nga SHBA-ja më kanë mbushur me trishtim dhe zemërim. Dënoj faktin që presidenti Trump nuk ka pranuar humbjen në zgjedhjet e nëntorit, dhe nuk e ka bërë atë edhe ditën e djeshme. Janë hedhur dyshime mbi rezultatin dhe është përgatitur klima për ngjarjet e djeshme”, shkruan kancelarja.

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez u shpreh: “Kam besim në forcën e demokracisë amerikane. Presidenca e re e Joe Biden do ta kapërcejë këtë fazë të tensionuar, duke bashkuar popullin amerikan“. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, e dënoi gjithashtu “sulmin e rëndë kundër demokracisë“, ndërsa homologu i tij gjerman Heiko Maas, tha se Trump dhe mbështetësit e tij duhet të pranojnë vendimin e votuesve amerikanë dhe të ndalin shkeljen e demokracisë.

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel tha se kishte besim që SHBA do të “siguronte një transferim të qetë të pushtetit”, ndërsa Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha se mezi priste të punonte me presidentin e ri demokrat.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, iu bashkua atyre që bënë thirrje për respektim të rezultatit të zgjedhjeve.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau tha se kanadezët ishin thellësisht të shqetësuar dhe të hidhëruar nga sulmi mbi demokracinë.

“Dhuna nuk do ia dalë kurrë që të mposhtë vullnetin e popullit. Demokracia në SHBA duhet të mbizotërojë dhe do t’ia dalë“, shkruajti ai në Twitter.

Nga Zelanda e Re, Kryeministrja Jacinda Ardern shkruajti po ashtu në Twitter se “demokracia, e drejta e popullit për të ushtruar votën, që t’i dëgjohet zëri dhe që vendimi i tyre të zbatohet në paqe, nuk duhet të zhbëhet kurrë nga një turmë”.