Kreu demokrat, Lulzim Basha, i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Rama në lidhje me programin ekonomik të PD-së. Duke iu drejtuar disa herë me qytetari Rama dhe kryeministri në ikje, Basha tha se pas 8 vitesh që shkatërroi ekonominë e vendit, ndërkohë që kishte pushtetin më të pakufizuar që nga koha e diktatorit, Rama nuk mund të bëjë gjë tjetër veç sulmeve bajate.

“Çfarë tjetër mund të bëjë qytetari Rama, kryeministri në ikje. Pas 8 vitesh papunësi, rritje taksash, rritje kosto të jetesës dhe shkatërrimin e ekonomisë dhe vendit, nuk është e lehtë. Kishte pushtetin më të pakufizuar që nga koha e Enver Hoxhës dhe shikoni si e ka katandisur vendin”.

Kreu i selisë blu, duke iu përgjigjur akuzave të kryeministrit se Basha premton ato që nuk ka në dorë dhe plani i PD-së është pa shtyllë kurrizore, theksoi se programi elektoral i PD-së nuk është premtim, por angazhim i detajuar në bazë të reformave që do të merren ditë pas dite në 100 ditëshin e parë. Sipas Bashës, pas 4 vitesh mandat qeverisje do të kemi plane pune të realizuara dhe jo premtime boshe.

“Ne kemi vite që përgatisim ofertën tonë për shqiptarët, jo premtime, unë nuk bëj premtime. Ky që është shpalosur nga kjo sallë është angazhim është plan pune konkret dhe ka marrë kohë të gjatë për t’u përgatitur me ekspertët tanë dhe ndihmën e vyer ndërkombëtare. Është ky plan që në qendër, janë hallet e keqqeverisjes së qytetarit Rama, kryeministrit në ikje nuk ia beson më askush fjalimet, as brenda shtëpisë së vet.

Plani ynë ekonomik ka në qendër qytetarin dhe familjen, të mundësojë 110 mijë vende pune, taksa më të ulëta arsye e mundësi të rinjve të qëndrojnë e jetojnë në vendin e tyre dhe të ulë papunësinë e koston e jetës. Prej muajsh ky plan është detajuar, si reformat e hapat që do merren ditë pas dite në 100 ditëshin e parë që pas 4 vitesh të dalim me plan pune të realizuar dhe jo me premtime boshe. Me këtë plan fitojnë shqiptarët, rinia, pensionistët, shtresa e mesme dhe fermerët, profesionistët, mësuesit dhe pedagogët, fiton Shqipëria, fitojnë të gjithë. Me këtë plan humb Rama dhe ky është shkaku që pse vazhdon të harxhojë orë të tëra me propagandë bajate me diversione të dala boje, me sulme të lodhura ndaj meje. Koha jote ka mbaruar. Më 25 prill Rama do të humbë dhe Shqipëria do të fitojë”.