Një superjaht i ri fringo, me vlerë 600 milionë dollarë dhe që është në pronësi të Roman Abramovich, është pikasur për herë të parë në det, duke lundruar në Rivierën Franceze.

Jahti 140 metra i gjatë, është mjeti lundrues më i personalizuar në botë, me 48 kabina që mund të presin 36 të ftuar dhe një ekuipazh prej 60 personash.

I ndërtuar në Gjermani, superjahti i quajtur “Solaris”, së fundmi ka përfunduar kolaudimin në Barcelonës, për t’u zhvendosur më pas në Monako dhe Antibes.

Gjatë “shëtitjes” përuruese në Mesdhe, jahti u fotografua me dron nga Julien Hubert, i cili tha se ishte një prej mjeteve lundruese më të bukura që kishte parë ndonjëherë.

Mediat britanike raportojnë se 54-vjeçari, pronar i klubit të futbollit Chelsea, është duke pushuar në Kroaci mbi një tjetër jaht që ka në pronësi, “Eclipse”, që kushton 695 milionë dollarë. Por me siguri do të provojë “lodrën” e tij të re.