UEFA vendos të mos marrë asnjë masë ndëshkuese ndaj 12 klubeve themeluese të Superligës Europiane, projekt ky që trazoi botën e futbollit për 48 orë duke ngjallur reagime të shumta. “Dënojini, përjashtojini një vit nga Champions League”, ky ishte mendimi i klubeve të ndryshme europiane, por UEFA ka vendosur të mos marrë asnjë masë për momentin për 12 klubet që tentuan të bëjnë European Super League. Megjithatë, UEFA thekson se në të ardhmen do të merren aksione ndaj këtyre skuadrave.

Real Madrid, Barcelona, Atletico Madrid, Juventus, Inter, Milan, Manchester United, Liverpool, Manchester City, Arsenal, Tottenham dhe Chelsea, pas tërheqjes e pranuan se një Super League e mbyllur nuk ishte ajo që i duhej futbollit, por sërish do të punojnë në projektin e tyre për të krijuar një kompeticion ku të ketë ndeshje të shumta mes klubeve më të mëdha në Europë. Megjithatë as qeveria e futbollit europian nuk e ka mbyllur plotësisht këtë çështje duke lënë të kuptohet se nëse klubet vazhdojnë të veprojnë kundër UEFA-s mund të merren masa në të ardhmen. E sigurt është që ky edicion i Champions League dhe Europa League do të zhvillohen normalisht pasi as Reali i Madridit, as Manchester City e as Chelsea nuk do të përjashtohen nga gjysmëfinalet e Championsit ashtu si dhe Manchester United e Arsenal do të marrin pjesë rregullisht në fazën e 4 më të mirave të Europa League.