Deputetja demokrate, Jorida Tabaku në një deklaratë për media pasi doli nga SPAK, u shpreh se kishte sjellë 9 kallëzime të reja, nga të cilat njëri raporti i komisionit hetimor dhe 8 individë të tjerë të përfshirë në aferën e inceneratorëve.

Tabaku theksoi se janë 60 persona të akuzuar si të përfshirë në aferën e inceneratorëve, që siç tha është afera më e madhe korruptive e të gjitha kohërave, e provuar me fakte.

Tabaku u shpreh se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me SPAK sa i takon ecurisë së hetimeve, ndërsa shtoi se shumë shpejt pritet të ketë të reja lidhur me këtë çështje.

“Kam qenë në komunikim të vazhdueshëm me SPAK sa i përket hetimeve, duke kërkuar informacion se në çfarë ndodhen hetime, por dhe në statusin e personit që denoncova. Sot kam qenë në cilësinë e kallëzueset për Inceneratorin e Tiranës dhe të Fierit. Kam një listë dëshirash se kush duhet të vijë në SPAK. Sot s’i mora ata në pyetje, më kërkuan informacion. Është një skemë e mirëfilltë kriminale dhe një grup i strukturuar kriminal. Këtë kërkesë ia kam bërë edhe prokurorëve. Prokurorët bëjnë mirë që janë kaq hermetikë. Është e drejtë që ka shumë interes të madh publik, sepse është skema më e madhe korruptive në vendin tonë. Por nuk mund të them më shumë.

Besoj se shumë shpejt do të kemi të reja në fazën që ndodhen hetimet. Hetimi i aferës ka qenë një prioritet jo vetëm i punës time, por dhe hetimet kanë ecur në organin e akuzës”, tha Tabaku.