(Tadeusz Różewicz)

1921-2014

Shkrimtar i njohur polak, dramaturg dhe poet, përkthyes. Nderuar me shumë çmime, kombëtare dhe përtej Polonisë. Kandidat i përhershëm polak për “Nobelin” – diçka si Kadareja ynë. Nuk e fitoi kurrë. Fitoi ama një njohje të gjerë ndërkombëtare, ndonëse fillimet i kishte disi… ekstravagante.

Dhe ja përse…

… Jetoi si adoleshent egërsinë e pushtimit nazist të Polonisë. Ka qenë pjesëmarrës i rrezistencës antifashiste polake. Një vëlla ia pushkatoi Gestapo. Stigmatizuar nga  ajo çka pa dhe përjetoi në luftë, konsideronte se arti fyente dhimbjen njerëzore, kësisoj krjoi një “poezi të veten”, çliruar nga tipare veçuese të saj, si shprehja metaforike, ritmi, muzikaliteti. Themeloi pra, një shkollë poetike, e cila në kohën e saj pati ndjekës të tjerë, duke krijuar kështu rrymë letrare. Tiparet veçuese: shfrytëzimi i një materiali të thjeshtë poetik, shprehje me fjalë sa më të zhveshura, pa nënkuptime dhe ngarkesa të tjera metafizike.

Mund të bësh poezi – dhe art në përgjithësi – me këto? Aq më shumë një shkollë poetike! Gjykojeni…

Ç’FAT

Ç’fat, mund të mbledh

manafera në pyll,

kujtoja

që nuk kishte as pyll, as manafera.

Ç’fat, mund të shtrihem

në hijen e një peme,

kujtoja që dhe pemët

nuk falin hije më.

Ç’fat, jam bashkë me ty,

zemra më rreh kaq fort,

kujtoja që njeriu,

zemër më nuk ka.

 

DIKUSH MUNDET

Mbaj mend se dikur

poetët shkruanin “poezi”.

Dikush akoma mund të shkruajë vargje

për shumë e shumë vjet.

Dikush akoma mund të bëjë

gjithfarë gjërash.

 

PASIONUAR PAS SHUMË PUNEVE

Pasionuar pas shumë punësh,

harrova

se dikur dikush

vdes.

I papërgjegjshëm,

harroja këtë borxh

ose e kryeja

sa për të thënë.

Por qysh nesër

gjërat do të ndryshojnë,

do filloj të vdes ndërgjegjshëm,

mençurisht, me optimizëm,

pa humbur kohë.

 

Paraqiti poetin dhe shqipëroi poezitë: Grigor JOVANI