Pamjet e ofruara nga kreu i opozitës Lulzim Basha, përgjatë takimeve që ka zhvilluar në qytete të ndryshme këto ditë me mbështetës së Partisë Demokratike, kryeministri Edi Rama i cilëson një shembull të gabuar.

Ai u bën thirrje qytetarëve që të distancohen nga këto situata që i quan absurde, tregues injorance dhe papërgjegjshmëri.

“Ajo që u duhet thënë të gjithëve është që ky është një proces që duhet të shkojë paralel me kujdesin, mbrojtjen. Është fatkeqësi e madhe që për shkaqe politike dhe interesa partiake, dikush jep shembullin më të gabuar duke grumbulluar njerëz dhe duke ngritur gishtat mbi makina. Por nga ana tjetër, është shumë e rëndësishme që njerëzit vetë të kuptojnë se kjo është një luftë për shëndetin, për jetën, është një luftë realisht për jetë a vdekje për shumë njerëz që janë më të ekspozuar dhe janë më të dobët nga pikëpamja fizike. Për këtë arsye duhet të gjithë të bëjmë kujdes, duhet të distancohen nga situatat absurde që tregojnë injorancë dhe papërgjegjshmëri të madhe nga ata që i krijojnë këto situata dhe këputja e zinxhirit të infektimit sa më shumë, në sa më shumë pika përmes vaksinimit dhe përmes kujdesit është prioriteti numër një”.

Nga Fieri ku ndoqi procesin e vaksinimit të mësuesve, Rama tha se asgjë nuk është e rëndësishme para shëndetit.

“Fushata, zgjedhjet, vendet në parlament, karriget, postet janë të gjitha 5 me hiç përpara kësaj sfide dhe përpara këtij objektivi. Ne do të vazhdojmë intensivisht vaksinimin, të bëjnë kujdes maksimalisht dhe të kërkojmë të bëhet kujdes. Turpi pastaj i mbetet atyre që e kanë”, tha Rama.