Vendimin e kryesisë së PD-së nuk e kanë njohur në bllok anëtarët e komisionit të Rithemelimit ata që u përjashtuan e disa të tjerë që u pezulluan.

Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi i cili rezulton i pezulluar me vendim kryesor ka komentuar ironikisht në Facebook se: “Ish-kryetari i partisë që blindoi humbjen në PD, nga xhelozia se nuk u bë dot lider, i rezistoi gjumit deri në të gdhirë të ditës së sotme për të përjashtuar e pezulluar në grup kritikët e tij.

Çudi që s’ka ende të internuar apo pushkatuar! Zbrit në bazë dhe shiko si do të të presin. Ne kemi zgjedhur demokratët e bazës dhe ata të sakrificave, kurse ti Edi Ramën dhe bashkëqeverisjen!”, shkruan ai

Albana Vokshi e përjashtuar tashmë më vendim, shkruan në Facebook se nuk e njeh këtë masë.

“Nga PD nuk më përjashtojnë dot ata që nuk kanë lidhje me PD-në. Nga PD nuk më përjashton dot një grup uzurpatorësh që PD-në e kanë mjet për pasurimin personal, ndaj e duan me çdo kusht. Ata nuk kanë lidhje as me demokratët as me demokracinë. I vetmi organ legjitim në Partinë Demokratike, mandatuar nga Kuvendi Kombëtar i 11 dhjetor 2022, është Komisioni i Rithemelimit të PD në të cilin unë jam anëtare. Lulzim Basha është shkarkuar me 4446 vota të delegatëve legjitim të Kuvendit Kombëtar të PD, vendim ky i ratifikuar në mënyrë unanime nga rreth 44 mijë anëtarë të PD në referendumin e dt 18 dhjetor 2022. Në demokraci sovrani vendos!”, tha ajo.

Aldo Bumçi nënvizon se, Basha nuk ka lidhje më me PD.

“Lulzim Basha nuk njohu gati 5000 firma të delegatëve të partisë që mbushën stadiumin. Sot ai është njeriu i Edi Ramës. Është një ditë e keqe për demokracinë që të arrijmë që qeveria të kontrollojë opozitën. Pa Edi Ramën, Basha nuk do të qëndronte në zyrë, e mbrojti ndërhyrja brutale e policisë së shtetit. Lulzim Basha sot është Edi Rama, por që do të kontrollojë godinën e PD. Demokratët i ka humbur përjetë, nuk ka lidhje me PD, është politikisht i vdekur. Nuk del do të bëjë një mbledhje”, thotë Bumçi

Vendimin për pezullimin nga Partia Demokratike, deputeti Tritan Shehu e ka quajtur anti-statuor. Shehu tha se nuk ka një vendim nga kryesia e partisë, pasi të tilla struktura nuk ekzistojnë.

“Nuk ka Këshill Kombëtar, ka Kuvend Kombëtar dhe Komisioni i Rithemelimit. Do të ketë një Kuvend në muajin mars. Ka vetëm dy institucione PD në këto momente”, u shpreh ai.

Deputeti nënvizoi se do të shkojnë në PD, pasi ajo është një seli e demokratëve.

“Unë mendoj që do shkojmë dhe ajo godinë do u jepet demokratëve dhe do jetë e hapur për të gjithë”, tha ai. Shehu tha se do të përdoren të gjithë mjetet demokratike që të realizohet qëllimi.

“Do të ketë shumë shpejt zhvillime, ndoshta çështje ditësh”, tha deputeti.

Duke ironizuar, ish-nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho tha ndër të tkjra se nuk e njeh vendimin për përjashtim.

“Lulzim Brava mund të më shkarkojë, nëse do të isha anëtar, vetëm nga shoqata e tij me Gaz Bardhin. E ashtuquajtura kryesi e zgjedhur në kundërshtim me statutin dhe e shkarkuar nga Kuvendi i 11 dhjetorit nuk merr dot asnjë vendim për mua dhe këdo”, tha Spaho.