Nga Ilir Mborja

Të pranuarit e standardit dhe përdorimi i tij nga institucionet shtetërore është një detyrim moral.

Para dy ditësh nga ZKA (Zyra Kombëtare e Auditimit) lexuam këtë lajm: “Auditorja e Përgjithshme e Auditimit të Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, ka pranuar letër urimi nga Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë, Arben Shehu.”

Prej kësaj mësuam se Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë z. Arben Shehu ka uruar znj. Vlora Spanca me rastin e marrjes së detyrës së Auditores së Përgjithshme të Republikës së Kosovës.

Në letrën e urimit dërguar homologes së tij, Kryetari i KLSH-së kishte shprehur përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve në zbatimin e objektivave të përbashkëta, që kanë të bëjnë me qeverisjen e mirë të financave publike dhe përmirësimin e vazhdueshëm të kontrollit të shpenzimeve të fondeve publike. ​
“Shpreh gatishmërinë time për intensifikimin dhe rritjen cilësore të bashkëpunimit midis dy institucioneve tona në fushat me interes të përbashkët edhe në të ardhmen. Duke ju uruar suksese të mëtejshme ju përcjell urimet më të mira” – ishte theksuar në letër-urimin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë, z. Arben Shehu. Gjithashtu i kishte bërë me dije asaj se: “është i gatshëm për realizimin e një takimi me Auditoren e Përgjithshme Vlora Spanca për të diskutuar në terma konkretë për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit midis dy institucioneve”.
Nga njoftimi mësuam se KLSH dhe ZKA kanë marrëveshje dypalëshe të bashkëpunimit që nga viti 2012. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje janë mbajtur trajnime duke shkëmbyer pikëpamjet, metodat dhe përvojat e punës me qëllim të përmirësimit dhe ngritjes së mëtejme të kapaciteteve profesionale në fusha të ndryshme të auditimit.

Duke marrë shkas nga marrëveshja e mësipërme, besoj se do të gjejmë mirëkuptimin për dashamirësinë e sugjerimit që po ju përcjellim më poshtë punonjësve të nderuar të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës.

Gjuha letrare (standardi), siç e dimë të gjithë, veç misionit të madh historik të njësimit të normës dhe forcimit të unitetit kombëtar, ka edhe rëndësinë e shmangies së keqkuptimit në komunikimin mes gjithë bashkëkombësve. Të pranuarit e standardit dhe përdorimi i tij nga institucionet shtetërore nuk duhet të jetë kurrsesi çështje dëshire, por vetëm një detyrim moral si për shtetarët e Shqipërisë ashtu edhe për ata të Kosovës, por edhe për pjesën shqipe të stilit administrativ që përdoret në Maqedoninë e Veriut.

Përpjekjet për të shkuar drejt njësimit në komunikimin (sidomos) me shkrim duhet të jenë të përbashkëta dhe të drejtohen nga të gjitha anët e viset ku jetojnë shqiptarët. Në rrethanat e sotme të globalizimit janë të pashmangshme interferencat nga gjuhë të tjera (si fjala vjen anglishtja) të cilat, nga folës prej visesh e mjedisesh të ndryshme shoqërore, etnokulturore, profesionale etj., realizojnësecili një varianttë ndryshëm të idiomit të përbarshkët, apo siç quhen ndryshe: idiolekte. Këto (idiolekte) kur përdoren në shkresa apo njoftime zyrtare krijojnë problematika që jo vetëm mund të lenë shije jo të mirë tek lexuesit, por ndonjëherë mund të sjellin edhe keqkuptime.

Kështu për shembull, njoftimi i përcjellë nga ZKA se: “Auditorja e Përgjithshme e Auditimit të Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, ka pranuar letër urimi nga Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë, Arben Shehu.” , mendojmë se ka vend për përmirësim në formulim. Togfjalëshi “ka pranuar letër urimi” mendojmë se nuk është një formulim me tipare të shqipes dhe ku bie në sy mungesa e stilemave të komplimentit apo të mirësjelljes. Pa dyshuar për asnjë çast për diçka të qëllimshme përveç se një idiolekti të ndikuar nga anglishtja, përdorimi i kallëzuesit “ka pranuar” para kundrinorit “ftesën”, nuk është në natyrën e stilistiskës së shqipes dhe aq më pak të asaj falënderuese ndërshtetërore. Kallëzuesit “ka pranuar” mund të përdoret për raste të tjera si p.sh.: “ka pranuar (me kënaqësi) ftesën…” etj., etj. Ashtu siç na e kanë paraqitur punonjësit e ZKA, në shqip njoftimi kumton një supremaci të (pranuesit!!!) marrësit ndaj dhënësit të urimit. Gjithsesi, siç e theksuam edhe më lart, përveç një idiolekti të reflektuar nga një kalk i anglishtes (khs. She has received a congratulatory letter from the President of the Supreme State Audit of the Republic of Albania), nuk mendojmë për asnjë çast se kemi të bëjmë me diçka të qëllimshme.

Po për të njëjtat arsye, meqë prekëm këtë problem, shfrytëzojmë rastin t’i sugjerojmë Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës se edhe përdorimi i ndajshtimit “Auditorja…” për zonjën Vlora Spanca nuk na duket plotësisht i saktë gjuhësisht.
Emri “Auditorja” në ndërgjegjen e shqipfolësve çon vetvetiu në temën fjalëformuese “Auditor”, për të cilën fjalori shpjegon:
Auditor m.sh. –
-Sallë e posaçme për të mbajtur leksione, referate etj., zakonisht në ndërtesën e një shkolle të lartë. Auditorët e universitetit. Hyj (zë vend) në auditor. Dal nga auditori.
-Tërësia e dëgjuesve të një leksioni, të një referati etj., zakonisht të mbledhur në një sallë. Auditor i gjerë (i ngritur). Shumica e auditorit. Flas përpara një auditori.
-fig. Vend ku mësohet për të zgjeruar e për të theluar njohuritë teknike e shkencore, politike, ideologjike etj. Kthehet në një auditor të madh.

Ndërsa fjala “auditim” që ka të bëjë me kontrollin apo ekzaminimin financiar etj. është shumë e vështirë për të gjetur prejardhjen apo lidhjen me fjalën “auditor”. Për këtë, në vend të “Auditorja e Përgjithëshme e Auditit të Republikës së Kosovës” miqësisht do t’ju sugjeronim emërtimin “Kreu i Përgjithshëm i Auditimit të Republikës së Kosovës”.