Një tjetër zyrtar i lartë LSI-së i shtohet listës së personave nën hetim për abuzime me detyrën.

Ish Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor, Ylli Spahiu, vëllai i deputetit të LSI-së, Përparim Spahiu, është kallëzuar penalisht për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.

Kallëzimi penal ka ardhur pas shkeljeve të rënda të gjetura nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. KLSH, përmes një kontrolli të ushtruar “Për evadimin e materialeve të auditivit të ushtruar në Drejtorinë e përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor mbi zbatimin e ligjshmërisë, rregullueshmërisë së veprimtarisë ekonomike-financiare”, ka bërë disa vërejtje për rritjen e efiçencës financiare dhe rikuperimit të dëmeve të pësuara.

Ylli Spahiu, vëllai i ish-deputetit të LSI-së, Përparim Spahiu, i cili është një nga figurat kryesore të partisë së Kryemadhit dhe udhëheq listën e kandidatëve për deputet në Qarkun e Tiranës, sot gjendet përpara drejtësisë për shkelje të bëra gjatë ushtrimit të detyrës për periudhën Tetor 2013 – Tetor 2017. Burime nga SPAK bëjnë të ditur se dosja voluminoze dhe të gjitha tenderat e realizuara gjatë periudhës Tetor 2013 – 2017 do të kalojnë në sitën e prokurorëve.

Të njëjtat burime theksojnë se bëhet fjalë për një rast abuzimi në nivelet e larta drejtuese dhe për këtë rasye do të trajtohet në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, pasi kjo e fundit ka në kompetencë thellimin e hetimeve për abuzime të këtij lloji.