Edlira Naqellari dhe tetë te hetuarit e tjerë për tenderin abuziv, me uniformat e Policisë së Shtetit do të dalin para Gjykatës së Posaçme të Apelit në 30 korrik.

Zyrtarët kanë apeluar masat e sigurisë lënë në fuqi në Shkallë të Parë duke kërkuar zbutje të tyre, me argumentin se nuk ka kushte ligjore për të qëndruar në burg.

Nëntë zyrtarë të Ministrisë së Brendshme akuzohen nga SPAK për shkelje të barazisë në tender, pasi ka dyshime për shkelje të rënda në tenderin prej 2.8 miliardë lekë.

Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pranoi kërkesën e SPAK më 12 korrik duke lënë tetë prej tyre në burg dhe një në arrest shtëpie.

Ish-drejtoresha e agjencisë së blerjeve të përqendruara, Edlira Naqellari së bashku me zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme janë lënë pas hekurave, ndërsa e vetmja që do të vijojë që të hetohet jashtë qelisë, pra “arrest shtëpie” është Anisa Bogdani me argumentin se duhet të kujdeset për fëmijën e mitur.