Prokuroria e Posaçme njoftoi mëngjesin e kësaj të marte mbylljen e hetimeve për 10 zyrtarë e ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, për tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit.

Njoftimi: Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në datë 11.10.2021 ka paraqitur kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.174/1 të vitit 2020 në ngarkim të të pandehurve Edlira Naqellari; Flutura Çekrezi; Anisa Bogdani; A.M.; Ani Omuri; Fatmir Demnerin; Klevis Hasani; Kreshnik Bejkaj, Mariglen Buzali; Gëzim Mingaj, akuzuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258, 25 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Nga aktet e administruara ka rezultuar se me datë 11.05.2020 në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme është zhvilluar procedura e prokurimit për llogari të Autoritetit Kontraktor, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me objekt “Blerje dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit”, për 4 vjet, me fond limit 2.800.347.570 (dy miliard e tetëqind milion e treqind e dyzet e shtatë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë) lekë (pa TVSH).

Nga hetimi kanë rezultuar veprime të kundërligjshme të bëra nga: titullari i Organit Qëndror Blerës, Drejtor i Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari, në bashkëpunim me anëtarët e Njësisë së Prokurimit Flutura Çekrezi; Anisa Bogdani; Ani Omuri; Klevis Hasani; A.M.; si dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave Kreshnik Bejkaj; Fatmir Demneri; Mariglen Buzali dhe Gëzim Mingaj,, të cilët, në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, kanë favorizuar bashkimin e subjekteve juridike të shpallura fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, duke sjellë si pasojë cënimin e lirisë së pjesëmarrësve në tendera dhe krijimin e avantazheve të padrejta për palët e treta.