I 23-ti në listën e Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Fatmir Xhafaj ka thyer herësin dhe renditet i pari ndër më të votuarit në këtë qark me mbi 13 176 vota, ndjekur nga Belinda Balluku me mbi 12 800 vota dhe Ornaldo Rakipi me mbi 12 300 vota

Pas publikimit të shifrave, ai shpreh mirënjohjen për votuesit për vlerësimin dhe besimin që ata i dhanë në politikë.

“MIRËNJOHJE! Kjo është fjala ime e parë në këto momente. Socialistëve që më dhanë kurajo dhe forcë ta çoj deri në fund këtë betejë! Të gjithë votuesve të qarkut që më vlerësuan për çfarë kam bërë në politikë, për çfarë unë jam dhe për çfarë ata besojnë se mund të vazhdoj të bëj. Ekipit të jashtëzakonshëm që punoi intensivisht me mua gjatë këtyre muajve me shpresën e madhe se do ja dilnim. Dhe ja dolëm të bënim një fushatë tejet modeste në shpenzime, por të pasur në besim, në kurajo dhe në energji. Familjes sime të mrekullueshme që ishte pjesë e kësaj beteje dhe miqve tanë të shumtë që si përherë ndër vite u gjendën pranë nesh dhe na mbështetën me zemër në rrugëtimin tonë. Në pamundësi për t’ju takuar dhe përshëndetur të gjithëve në këto momente dhe me dëshirën për tu parë e përqafuar së shpejti ju them: Faleminderit! Mirënjohje pafund!”

Xhafaj ka kaluar pragun minimal për të qenë deputet, por thekson se ekipi i fushatës së tij po monitoron përfundimin e numërimit për të respektuar çdo votë.

“Shifrat tashmë publike konfirmojnë se e kam kaluar pragun minimal për të qenë deputet në legjislaturën e ardhshme të Kuvendit të Shqipërisë. Së bashku me ekipin e fushatës jemi duke monitoruar përfundimin e procesit të numërimit për të respektuar çdo votë në kutitë e votimit”.