Nis procedim penal për kandidatin demokrat për deputet, Xhelal Mziu, për veprën penale “Thirrjet për armatosje ose marrje të padrejtë të komandës”.

Procedimi nga Policia e Dibrës vjen pasi gjatë një takimi elektoral në Dibër, Mziu ka kërcënuar dhe ka bërë thirrje për të nxitur dhunë duke bërë prezent ngritjen e grupeve të gatshme me pretendimin e mbrojtjes së votës.

“Nga Oficerët e Policisë Gjyqësore në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër ka filluar procedimi penal dhe materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprën penale “Thirrjet për armatosje ose marrje të padrejtë të komandës”, në ngarkim të shtetasit XH.M, kandidat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike në qarkun Dibër.

Kjo pasi gjatë një takimi elektoral në territorin e bashkisë Dibër, shtetasi XH.M, ka kërcënuar dhe ka bërë thirrje për të nxitur dhunë duke bërë prezente ngritjen e grupeve të gatshme me pretendimin e mbrojtjes së votës.

Policia e Shtetit thekson edhe njëherë faktin se asnjë subjekt politik, organizatë apo individ nuk ka të drejtë të krijojë struktura paralele duke marrë atributet e Policisë së Shtetit dhe për këtë do të ushtrojë kontrolle të imtësishme në territor duke kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin ligjor të këtyre strukturave të paligjshme që kryejnë veprime duke cenuar ligjin dhe të drejtat e liritë themelore të qytetarëve”, njofton policia.