Ish-Presidenti Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi janë kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) nga avokati Idajet Beqiri.

Meta dhe Kryemadhi janë kallëzuar për fshehje të të ardhurave.

Në kallëzimin e avokatit Idajet Beqiri, ky i fundit akuzon çiftin Meta-Kryemadhi se kanë bërë ndërhyrje kirurgjikale dhe pagesat për të gjitha operacionet e bëra janë bërë në rrugë offshore.

“Ndërhyrjet e kryera në vitet 2013-2014 nuk rezulton të jenë deklaruar si shpenzim i kryer në deklaratat periodike vjetore të viteve 2013-2014, pra është shpenzim i padeklaruar në ILDKPKI nga subjekti deklarues Ilir Meta për këtë krijohet dyshimi i arsyeshëm se dhe këto ndërhyrje dhe trajtime janë financuar me të njëjtën  mënyrë me ato të mësipërme nga llogari offshore”, thuhet ndër të tjera në kallëzimin e avokatit Idajet Beqiri.

Ky i fundit denoncon se ndërhyrjet kirurgjikale që ka kryer Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi për t’u dobësuar dhe për trajtime estetike janë bërë në spital në San Marino, ndërsa pagesat në vlerë 287.650 Euro janë bërë përmes një banke në Qipro.

Në qershor të këtij viti, ish-deputeti Halit Valteri depozitoi në SPAK një kallëzim penal për Ilir Metën, kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, dhe Vangjel Tavon. Ai i akuzon ata për korrupsion aktiv dhe pasiv në sektorin privat, për fshehje të pasurisë, mospagim të taksave dhe tatimeve dhe shpërdorim detyre.

Në arsyetimin e tij, Valteri thekson se disponon të dhëna që ngrenë dyshime për konsumimin e këtyre veprave penale. Duke cituar artikuj të publikuar në media, Halit Valteri flet për kontrata lobimi në SHBA që i paraprinë fushatës zgjedhore të vitit 2017, për të cilat thotë se nuk janë deklaruar nga LSI. Sipas tij, ato janë financuar përmes kompanive offshore në Qipro.