Agim Çerma, një shtetas shqiptar është arrestuar në Kolumbi për trafik kokaine me çarter. Është konfirmuar që ai drejtonte një grup kriminal dhe se merrte para nga Europa dhe kokainë nga Cauca, një vend në lindje të Kolumbisë.

Më pas, bënte dërgesa për në Shtetet e Bashkuara përmes transportit ajror. Në operacionin e zhvilluar nga policia e shtetit latin në bashkëpunim me Agjencinë Amerikane Anti-Drogë, DEA, u arrestuan dhe 4 persona të tjerë.

Të gjithë janë ekstraduar për në Shtetet e Bashkuara, përfshirë shqiptarin që njihej dhe me nofkën “Jimmy”. Në operacion janë gjetur dhe sekuestruar 330 kilogramë kokainë, 2 miliardë pesos dhe rreth 450 mijë euro.

Autoritetet dyshojnë se Çerma kishte lidhje me kartelin famëkeq të drogës “Clan del Golfo”, që njihet dhe si fraksion paramilitar i përfshirë në disa konflikte të armatosura në Kolumbi.

Grupi kriminal, i drejtuar nga shqiptari, dyshohet se korruptoi personelin e trafikut ajror për t’i lejuar që të udhëtonin me linjat charter. Mendohet se trafikantët operuan në të paktën 3 qytete.