Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim çështjen ndaj 9 personave, të cilët akuzohen se kanë trafikuar lëndë narkotike mes Shqipërisë dhe Italisë gjatë vitit 2019.

Julian Bejdollari, Aurel Kalari, Ilirjan Duçellari (Zaimi), Mariglen Duçellari, Kleo Bregu, Rexhino Muçaj, Alban Koshi, Robert Myftari, dhe O.D akuzohen se kanë kryer veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”; “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, mbetur në tentativë; “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal; “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”; “Grupi i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Sipas SPAK, nga hetimet, të kryera edhe në bashkëpunim me autoritetet italiane, “janë dokumentuar disa episode trafikimi të lëndës narkotike të sekuestruar në Shqipëri dhe Itali, në një sasi prej 6 tonë lëndë narkotike e llojit kanabis, marijuanë, kokainë, duke i hequr organizatave kriminale të ardhura të vlerësuara në mbi 55 milionë euro, për një sasi totale prej rreth 14 milionë dozash nga shpërndarja me pakicë”.

Në kuadër të këtij hetimi SPAK thotë se janë sekuestruar me qëllim konfiskimin e tyre, pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, subjekte tregtare, ambiente biznesi, në një vlerë rreth 5 milionë euro.

Hetimet në lidhje me këtë procedim penal vazhdojnë për 28 persona të tjerë të arrestuar, si dhe për persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.