Një aksident tragjik ka ndodhur këtë të diel në Kroaci, ku një autobus me targa të Kosovës ka dalë nga rruga dhe për pasojë kanë humbur jetën 10 persona, ndërsa raportohet për mbi 45 të plagosur.

Drejtori i Spitalit në Slavonski-Broad, Dr. Josip Samardžić, tha për mediat kroate se mes 45 personave që janë shtruar në spital, 8 janë me lëndime të rënda.

Ngjarja tepër e rëndë ka ndodhur rreth orës 6:00 të mëngjesit, raportojnë mediat kroate, ndërsa autobusi ishte nisur nga Frankfurti për në Prishtinë. Brenda tij ndodheshin në total 60 persona. Numri i viktimave u konfirmua edhe nga ambasada e Kosovës në Zagreb, ndërsa presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, bënë të ditur se një grup me zyrtarë të Kosovës, mes tyre edhe ministri i Brendshëm, janë nisur drejt Kroacisë për t’u ardhur në ndihmë të të plagosurve dhe familjarëve të viktimave.

Shefi i Policisë së Slavonski Brod, Franjo Galic, ka deklaruar për mediat kroate se ky ishte një prej aksidenteve më të rëndë që ka parë në jetën e tij. “Situata është shumë e vështirë dhe ka ende numër të madh të pasagjerëve që iu kërcënohet jeta brenda në autobus”, tha një zëdhënës i policisë.

Ministri i Brendshëm dhe zyrtarë të tjerë të Kosovës nisen për në Kroaci

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se disa zyrtarë të Kosovës janë nisur drejt Kroacisë, për të ndihmuar qytetarët e përfshirë në aksidentin tragjik të këtij mëngjesi, ku humbën jetën 10 persona dhe mbi 30 të tjerë janë plagosur.

“Me zemër e me shpirt sot jemi me familjet që humbën më të dashurit në këtë tragjedi. Dhimbja është e papërshkrueshme e humbja shumë e madhe. Ngushëllime të sinqerta për të gjithë! Shteti i Kosovës do të jetë në krah të familjeve të atyre që humbën jetën, sikurse edhe të të lënduarve, të cilëve ju dëshiroj shërim të shpejtë”, shkroi Osmani në Facebook, ndërsa vetë ndodhet në Japoni.

“Veprimet tona shtetërore do të jenë në funksion të lehtësimit të dhimbjes së familjeve që humbën më të dashurit e tyre, ndaj zyrtarë të institucioneve të Kosovës tashmë janë nisur për në Kroaci për t’u dalë në ndihmë qytetarëve tanë të përfshirë në këtë aksident tragjik”.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, është nisur për në Kroaci, ndërsa ambasadori i Kosovës në Zagreb është nisur drejt vendit të aksidentit.

“Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për aksidentin tragjik në Kroaci, të një autobusi me targa të Kosovës. Lutemi të ketë sa më pak të vdekur e sa më shpejt të shërohen të lënduarit. Me ankth e shpresë jemi pranë qytetarëve tanë dhe familjeve të tyre në këto çaste të rënda”, shkroi Kurti në Facebook.