Një dozë e një vaksine kundër koronavirusit mund të kushtojë deri në 1200 dollarë në internet. Kjo është zbuluar nga Kaspersky, një kompani globale e sigurisë kibernetike.

Nga kërkimet e bëra në internet janë gjetur në shitje doza të vaksinave Pfizer-BioNTech, AstraZeneca, por edhe të vaksinave të tjera të pacertifikuara. Shumica e personave që kryejnë këto shitje kanë rezultuar të jenë në shtetet kryesore si Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar apo edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërkohë, çmimet për vaksinën variojnë nga 200 deri në 1200 dollarë, me një mesatare prej 500 dollarësh. Kërkimet në internet kanë shkuar më tej, duke zbuluar se marrëveshjet bëhen përmes aplikacioneve me mesazhe të koduara si Wickr dhe Telegram, ndërsa pagesat kryhen kryesisht në “bitcoin”, të cilat janë shumë më të vështira për t’u zbuluar.

“Në tregun e zi online mund të gjesh gjithçka, kështu që shumë persona synojnë të përfitojnë dhe gjendja e vaksinave nuk duhet të na habisë”, shprehet Dmitry Galov, ekspert i sigurisë i kompanisë Kaspersky, shkruan “tgcom”. Megjithatë, ai shkon edhe më tej duke theksuat se në internet janë shitur edhe të dhëna të vaksinimit ose dokumente për të lëvizur lirshëm nga një vend në një tjetër në këtë situatë të vështirë të pandemisë.

Në fund, Dmitry Galov, thekson se blerja e një vaksine në internet nuk është një ide e mirë, pasi shumë nga këto oferta që shfaqen nuk janë reale.