Edhe deputeti Tritan Shehu ka komentuar në mënyrë kritike vendimin e kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha për të shkarkuar nga detyra e nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë Flamur Nokën, i cili dje u shpreh hapur kundër tij.

Shehut episodi i kujton një ngjarje e të kaluarës komuniste në Bashkimin Sovjetik  “sikur Noka të ishte Zhukovi, që u shkarkua në ajër nga frika se mos nxirrte tanket në Moskë në mëngjes!”.

Sipas tij deputetit, vendimi është një “ndëshkim pa asnjë vendim kolegjial, pa u pyetur asnjë forum, e, i marrë nga Z.Basha në orët e vona, pa respektuar rregullat, statutin, parimet e demokracisë!”. Sipas tij, kjo e bën vendimin nul, dhe kjo po krijon një situatë në PD ku “në vend që të rrëzojmë Ramën po rrëzojmë veten tonë”, dhe që sipas tij e bën edhe më të domosdoshëm Kuvendin Kombëtar.