Përfaqësuesit e Dhomës së Përfaqësuesve kanë vendosur të akuzojnë presidentin Donald Trump, për trazirat në selinë e Parlamentit, në kryeqytetin Uashington.

Një vendim historik, ku përfaqësuesve demokratë u janë bashkuar të paktën 10 republikanë. Rezoluta për ngritjen e akuzave u miratua me 232 vota pro dhe 197 kundër.

Akuza është një e vetme, “nxitje e një kryengritjeje”. Është hera  e parë  që një president amerikan përfundon në një procedurë të tillë si impeachment, dy herë në një mandat.

Ndërsa vazhdonin komentet në Dhomën e Përfaqësuesve, Presidenti Donald Trump bëri thirrje për shmangien e akteve të dhunës. Përmes një deklarate të nxjerrë nga Shtëpia e Bardhë, presidenti thotë se “i nxitur nga njoftimet për demonstrata të reja, bëj thirrje: JO dhunë, JO thyerje ligji, JO vandalizëm i asnjë forme. Amerika nuk mishëron akte të tilla. U bëj thirrje Të Gjithë amerikanëve të ndihmojnë që të qetësojmë gjakrat dhe të ulim tensionet. Faleminderit”.

Miratimi i rezolutës për ngritjen e akuzave pasoi një sesion komentesh nga anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve që u karakterizua nga deklarata pro dhe kundër procesit të ndara përgjithësisht në linja partiake.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi e quajti presidentin një kërcënim “ndaj lirisë, vetë-qeverisjes dhe sundimit të ligjit”. Por një aleat i fortë i presidentit, ligjvënësi republikan nga Ohajo, Jim Jordan tha se ngritja e akuzave kundër presidentit “nuk do të bashkojë vendin. Ky është thjesht një akt politik”. Demokratët, tha zoti Jordan, “duan ta shuajnë këtë president”.