Ish-presidenti amerikan Donald Trump pretendoi se i ka dërguar një flamur të bardhë si dhuratë ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, kur ajo nënshkroi marrëveshjen me Vladimir Putin për gazsjellësin rus Nord Stream 2, që do të dërgonte gaz në Gjermani.

Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, projekti është pezulluar nga qeveria e re gjermane.

Gjatë një interviste për “Full Send Podcast”, Trump tha se Merkel “u dorëzua para Rusisë”, kur Gjermania u garantoi një kompanie pranë Kremlinit ndërtimin dhe operimin e gazsjellësit. Në përfundim të tij, gazi rus do të dërgohej direkt në Gjermania nga Rusia, në vend që të kalonte përmes shteteve të tjera, si Ukraina.

“Iu luta qartësisht Angela Merkelit, se po bënte një marrëveshje të tmerrshme. Pa dalë unë në skenë, askush nuk e dinte se çfarë ishte Nord Stream 2. Ia thashë qartë dhe publikisht dhe, në fakt, i bëra edhe një dhuratë, një flamur të bardhë. Kur më pyeti se çfarë ishte, i thashë se ishte flamuri i dorëzimit”.

Kritikët e gazsjellësit Nord Stream 2 thonë se i jep Moskës një ndikim edhe më të madh mbi të gjithë Europën, jo vetëm Gjermaninë. Ndërsa mbështetësit thonë se vendimi duhet bazuar mbi parime ekonomike, jo politike. Dy ditë para se Putin të urdhëronte personalisht pushtimin e Ukrainës, Kancelari i ri gjerman, Olaf Scholz, tha se ishte pezulluar projekti i certifikimit të gazsjellësit, që ka kushtuar 11 miliardë dollarë.

Trump miratoi sanksione kundër gazsjellësit në dhjetor 2019, duke thënë se me të, Berlini do të bëhej peng i Rusisë. Por në maj të vitit 2021, Joe Biden i anuloi sanksionet, në përpjekje për të rregulluar marrëdhëniet me Europën.