Pandemia, dëmshpërblimi nga Kina, akuzat për mungesë të transparencës së financave të tij dhe kompanive që ai drejton dhe gara presidenciale e vitit 2024. Donald Trump foli hapur dhe qartë, për herë të parë që nga muaji janar kur u largua nga Shtëpia e Bardhë, në Konventën e Partisë Republikane në Karolinën e Veriut.

Akuzat i nisi me doktor Anthony Faucin, që nuk e cilësoi një mjek të madh, por një promovues të madh, referuar këtu daljeve të tij në televizion sikurse e akuzoi edhe për menaxhim të gabuar të pandemisë në Shtetet e Bashkuara.

“Ai është gabuar për çdo çështje në lidhje me pandeminë, u gabua për Wuhanin, u gabua edhe për laboratorin. Ai është promovues, jo një doktor i madh, por një promovues i madh”

Sipas Trump, Kina do të duhet të dëmshpërblejë me 10 trilionë dollarë Shtetet e Bashkuara dhe mbarë botën, për përhapjen e Covid-19. Trump foli edhe për hetimin kriminal të nisur ndaj tij nga zyra e prokurorit të Nju Jorkut, duke e cilësuar atë si përpjekjen e fundit të demokratëve për ta fundosur ish-presidentin, pas sagës së 2 “impeachment”, që sipas tij dështuan.

“Ka qenë një gjueti 5-vjeçare shtrigash, mashtrim pas mashtrimi. Dhe ata nuk do të ndalojnë deri në nëntor të 2024”

Trump u zotua se do të ndihmojë republikanët në zgjedhjet e 2022, ndërsa fitoren e Biden e quajti një mashtrim.

“Zgjedhjet presidenciale të 2020 ishin zgjedhjet më të korruptuara në historinë e shtetit tonë. Ata përdorën Covidin dhe votat me postë për të vjedhur zgjedhjet. Ishin zgjedhje si të një shteti të botës së tretë. Shpëtimi i Amerikës varet në aftësinë tonë për të zgjedhur republikanët në çdo nivel, duke nisur nga zgjedhjet e mesit të mandatit vitin e ardhshëm”.

Edhe pse nuk e pranoi zyrtarisht, Trump nuk e fsheh ambicien për të garuar përsëri në zgjedhjet presidenciale të 2024.