Donald Trump, në një video duke iu drejtuar amerikanëve, tha se ai ishte skandalizuar nga dhuna që ndodhi në Kongres dhe bërë thirrje për pajtim në vend.

Në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë, presidenti Trump pranoi për herë të parë, që një administratë e re do të marrë detyrën në 20 janar, duke pranuar humbjen ndaj Joe Biden, një ditë pasi mbështetësit e tij sulmuan Kapitolin e SHBA-së.

” Tani Kongresi ka vërtetuar rezultatet që një administratë e re do të inaugurohet në 20 Janar. Qëllimi im tani është të siguroj një tranzicion të qetë dhe të rregullt të pushteteve. Ky moment kërkon shërim dhe pajtim”, shtoi ai.

Presidenti tha se ishte indinjuar nga sulmi i egër i së mërkurës, i cili erdhi ndërsa politikanët në Kongres vërtetuan fitoren e Biden.

Toni i videos së fundit të Trump, që u ngarkua në Twitter, ishte dukshëm i ndryshëm nga ai i një dite më parë, në të cilin pretendonte se zgjedhjet ishin mashtrim.

Ai tha se fushata e tij kishte ndjekur me forcë çdo rrugë ligjore për të kontestuar rezultatet e zgjedhjeve.

Trump foli ndërsa demokratët e lartë kërkuan që ai të hiqej nga detyra.

Z. Trump u kthye në Twitter të enjten në mbrëmje, pas një pezullimi 12-orësh të llogarisë së tij pasi kompania e mediave sociale tha që postimet e tij mund të shkaktonin dhunë.

Trump i përshkroi katër vitet e tij në detyrë si nderin e jetës së tij dhe tha:

“Për të gjithë mbështetësit e mi të mrekullueshëm, unë e di që ju jeni të zhgënjyer, por dua që ju ta dini se udhëtimi ynë i pabesueshëm sapo ka filluar”.