Presidenti Donald Trump njoftoi pak më parë se nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të presidentit të ri Joe Biden, duke thyer kështu traditën qindra vjeçare të transferimit të pushtetit.

Ndonëse llogaritë në Instagram dhe Facebook iu bllokuan një ditë më parë nga themeluesi Mark Zuckerberg, kreu i Shtëpisë së Bardhë zgjodhi Twitter për të dhënë lajmin se nuk do të jetë pjesë e ceremonisë së 20 janarit, ku Biden merr zyrtarisht detyrën.

Reagimi i presidentit Trump erdhi pas pyetjeve të shumta nga mbështetësit për këtë çështje.

Gjatë ditës së enjte dhe në vazhdim janë rritur thirrjet nga ligjvënës dhe politikanë të ndryshëm për aplikimin e amendamentit të 25 për shkarkimin e Donald Trump, pas ngjarjeve të dhunshme në Kongres ku mbetën të vrarë 4 persona.