Nëse infektoheni me Covid-19, mos prisni të merrni të njëjtin trajtim si Presidenti Donald Trump.

Është e natyrshme që kreu i Shtëpisë së Bardhë do të merrte vëmendje të shtuar dhe kujdesin më të mirë të mundshëm. Por disa nga trajtimet që ai po merr as që janë në dispozicion për publikun e gjerë.

Ky është fakti që Trump mund të ketë anashkaluar kur ai u tha miliona ndjekësve: “Mos kini frikë nga Covid”.

“Ndihem më mirë sesa 20 vjet më parë!”, shkroi ai në Twitter të hënën – duke mos përmendur faktin që amerikanët e tjerë me Covid-19 nuk kanë qasje në ilaçet dhe trajtimet që ai mori.

Para se të shtrohej në spital të premten, Trump mori terapinë eksperimentale të antitrupave të Regeneron, e cila mund të zvogëlojë nivelet e koronavirusit dhe ka treguar rezultate premtuese në një testime që përfshiu 275 pacientë.

Presidenti Trump e mori atë përmes një programi të veçantë, që kompania Regeneron thotë se “është për pacientët në gjendje serioze ose të rrezikshme për jetën që nuk kanë ndonjë mundësi tjetër trajtimi me shanse për sukses”.

Produkti është një nga dy terapitë me antitrupa që po kalojnë në provat e fundit klinike. Si kompania Regeneron edhe kompania Eli Lilly që prodhon terapinë tjetër, njoftuan kohët e fundit rezultate premtuese në njoftimet për shtyp, por të dhënat e tyre nuk janë shqyrtuar nga ekspertë të pavarur.

Por trajtimi ende nuk ka marrë autorizimin e përdorimit urgjent nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave. Kompania bioteknike Regeneron tha se siguroi ilaçin pasi mori një kërkesë përdorimi nga mjekët e Trump. Për shumicën e njerëzve, “marrja e aksesit në ilaçe të pa aprovuara ende përmes një kërkese mund të jetë një proces i gjatë dhe sfidues”, tha Klinika Mayo, duke renditur një seri kërkesash që shumica e pacientëve do të duhet të plotësonin.

Por Trump mori terapinë të premten, vetëm një ditë pasi ai doli pozitiv për Covid-19.

“Sigurisht, ky është Presidenti i Amerikës. Ai do të marrë gjithçka që ekziston, pavarësisht nëse është medikament apo trajtim i autorizuar për përdorim urgjent ose jo”, tha, epidemiologu Dr Seema Yasmin.

“Por ka (pothuajse) 210,000 amerikanë që kanë vdekur gjatë muajve të fundit sepse reagimi pandemik ka qenë i rëndë. Dhe ata sigurisht nuk morën qasje në këtë lloj trajtimi.”

Ky nuk është avantazhi i vetëm që Trump ka pasur me qindra mijëra amerikanë të tjerë që janë shtruar në spital me koronavirus.

Trump mund të jetë “pacienti i vetëm në botë” që merr këto tri ilaçe. Përveç terapisë me antitrupa eksperimentale, Trump gjithashtu iu dha remdesivir dhe dexamethasone.

“Presidenti mund të jetë pacienti i vetëm në planet që ka marrë ndonjëherë këtë kombinim të veçantë të ilaçeve”, tha Dr. Jonathan Reiner, profesor i mjekësisë në Universitetin George Washington.

Remdesivir nuk ka marrë miratimin e FDA për trajtimin e Covid-19, por ka marrë një autorizim të përdorimit emergjent nga agjencia.

Trump gjithashtu ka marrë dexamethasone, një kortikosteroid i lirë dhe i disponueshëm gjerësisht që mund të zvogëlojë inflamacionin. Por gjithashtu shtyp sistemin imunitar, kështu që nuk rekomandohet për pacientët Covid-19, nëse situata nuk është e rëndë.