Tingëllon e çuditshme që në një kohë kur marrëdhëniet midis Greqisë dhe Turqisë janë në fazën më kritike dhe një frymë larg nga lufta pas kërkimeve turke për naftë e gaz, qindra grekë janë nisur për pushime në shtetin fqinj.

Vetëm në 24 orët e fundit nga pika e kalimit kufitar greko turk, 812 qytetarë janë regjistruar për të kaluar nga Greqia në Turqi.

Shumica e turistëve grekë që kanë preferuar bregdetin turk ishin nga zona e Alexandroupolis ose nga zona të tjera të Evros dhe Thrakës. Mediat greke ironizojnë me faktin se ndërsa forcat e armatosura greke janë në gatishmëri të lartë dhe të gatshme për luftë, si në det ashtu edhe në ajër edhe në Evros, qindra grekë normalisht po shkojnë për të bërë pushime dhe pazar në vendin fqinj, sikur asgjë nuk po ndodh dhe kur koronavirusi po njeh shifra të larta infektimesh në Turqi.

Këta qindra qytetarë grekë nuk i janë nënshtruar asnjë testi për koronavirus nga autoritetet kufitare apo shëndetësore turke në anën tjetër të kufirit. Për shkak të rritjes se shifrave të të infektuarve në kushtet e pandemisë COVID-19, kryetari i shoqatës rajonale të komunave të Maqedonisë Lindore ne Thrakë, Vassilis Mavridis, ka kërkuar që kufiri greko-turk të mbyllet, vendim ky që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë.