“Twitter”-i ka pezulluar përkohësisht ligjvënësen republikane Marjorie Taylor Greene, për postimin e informacioneve të rreme në lidhje me koronavirusin.

Gjiganti i mediave sociale tha se llogaria e republikanes do të ishte në “modalitetin vetëm për lexim” për 12 orë, duke e penguar atë të bëjë postime.

Znj. Greene, një kongresiste republikane, ka qenë një kritike e hapur e vaksinave dhe përdorimit të maskave.

Siç shkruan BBC, në dy postime të hënën, ajo argumentoi se vaksinat nuk duheshin kërkuar dhe se Covid nuk ishte i rrezikshëm për njerëzit e moshës nën 65 vjeç që nuk janë mbipeshë.

Të dy postimet janë ende të dukshëm, por janë etiketuar nga Twitter si “të rreme”.

Zonja Greene u pezullua edhe në Prill nga ky rrjet social, por kompania më vonë hoqi dorë nga ndalimi, duke thënë se ishte një gabim i shkaktuar nga sistemi i saj i moderimit.

Në përgjigje të pezullimit të fundit, zonja Greene tha se firmat e Silicon Valley po sulmonin fjalën e lirë me mbështetje nga Shtëpia e Bardhë.

“Këto kompani Big Tech po zbatojnë urdhrat e regjimit të Bidenit për të kufizuar zërin tonë dhe për të parandaluar përhapjen e çdo mesazhi që nuk është i aprovuar nga shteti.”- tha ajo në një deklaratë për New York Times. Javën e kaluar, Presidenti Joe Biden u bëri thirrje firmave të mediave sociale të ndërmarrin më shumë veprime kundër përhapjes së informacionit të rremë në platformat e tyre rreth koronavirusit dhe vaksinave.

“Ata po vrasin njerëz.”- u tha Biden gazetarëve. “E vetmja pandemi që kemi është midis të pavaksinuarve.”