Tymi i një gjeneratori ka krijuar keqraportime sot në aeroportin ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’ në Rinas.

Në disa video dhe foto online shihej tym në pistën e aeroportit pranë një avioni, por nuk kishte pamje të qarta.

Fillimisht u raportua se kishte marrë flakë një avion i Air Albania, më pas u tha se avioni në flakë i përkiste kompanisë së fluturimeve ‘Wizz Air’.

Në fakt nuk ka marrë flakë asnjë avion, i asnjë kompanie. Tymi, i shfaqur edhe në videot e publikuara në mediat online është i pajisjeve ndihmëse të cilat shërbejnë për ndezjen e motorëve, një proces i mirëmbajtjes rutinë. Konkretisht bëhet fjalë për një gjenerator.

Foto e mëposhtme tregon më qartë se si tymi del nga gjeneratori i vendosur ngjitur me një avion të Wiz Air:

Autoriteti Aviacionit Civil, së bashku me aeroportin “Nënë Tereza” në një reagim kanë konfirmuar gjithashtu se nuk bëhej fjalë për probleme me ndonjë avion.

“Me shfaqjen e tymit, shërbimi zjarrfikës, ashtu siç parashikon rregullorja e aeroportit dhe sigurisë të tij, është paraqitur menjëherë në vendin e ngjarjes, por nuk ka vepruar pasi është evidentuar që bëhet fjalë për një proces normal.

Autoriteti Aviacionit Civil, së bashku me aeroportin “Nënë Tereza” siguron të gjithë qytetarët se mbetet i angazhuar në çdo moment për të garantuar sigurinë maksimale për të gjithë udhëtarët” – thuhet në reagim.