Ish-drejtori i RTSH Thoma Gëllçi i cili u arrestua me kërkesë të SPAK për abuzime me një tender, ka paditur institucionin që ai drejtonte.

Në padinë ndaj RTSH-së, të bërë nga avokati i tij Dorjan Matlia, pretendohet se televizioni nuk ka hapur garën për drejtues pasi e ka shkarkuar Gëllçin nga detyra.

Në padi kërkohet nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë të anulohet vendimi me datë 20.05.2021 të Këshillit Drejtues të RTSH-së. Po ashtu kërkohet që pala e paditur të paguajë një shpërblim dëmi në favor të paditësit, në masën e pagave mujore që ai do të përfitonte nga dita kur është liruar nga detyra deri në momentin e fillimit të detyrës së drejtorit të ri.

Përpos dëmshpërblimit të pagave mujore, kërkohet edhe një dëmshpërblim në vlerën 100 mijë lekë për dëmin moral dhe cenimin e reputacionit.

Po ashtu kërkohet që pala e paditur të hapë garën për drejtuesin e ri, duke i dhënë mundësinë e rikandidimit Gëllçit,

Sot Gëllçi dhe dy punonjës të RTSH kanë dalë para Gjykatës së Posaçme për vlerësimin masën e sigurisë “Arrest në burg”, për abuzimin me tendera. Ishte tenderi me vlerë mbi 86 milionë Lekë për blerje të pajisjeve për kanalin “RTSH Agro” që çoi në pranga ish-drejtorin e RTSH-së.