Agim Çerma, i arrestuar në Kolumbi si baron droge, rezulton të jetë i dënuar në vendin tonë me burgim të përjetshëm për vrasje.

Çerma këtë dënim e ka marrë nga Gjykata e Elbasanit në vitin 1998 për vrasjen e Gezim Liçit dhe plagosjen e efektivëve të policisë si dhe dëmtimin e makinave të tyre.

Ngjarja ka ndodhur në ’97-ën po në Elbasan. Në atë kohë u arrestua dhe vëllai i Agimit, Gazmend Çerma, i cili u dënua me 11 vite burg. Ky i fundit e ankimoi këtë vendim në Apelin e Durrësit, kërkesë qe iu refuzua.

Në ankimimin e bërë prej tij, Gazmend Çerma ia kalon përgjegjësinë të vëllait, Agimit, duke argumentuar se nuk kishte dijeni se i vëllai i tij kishte armë me vete dhe se do të kryente vrasjen. Bashkë me dy vëllezërit u arrestuan edhe disa persona të tjerë.

Ndërkohë edhe pse i dënuar përjetë, për arsye ende të paqarta, Agim Çerma ka fituar lirim me kusht nga Gjykata e Lezhës. Pasi la qelinë e burgut, Agim Çerma mendohet se është larguar drejt vendeve te Europës dhe më pas në vendet e Amerikës Latine ku është përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Policia shqiptare për shkak se kishte dyshime mbi aktivitetin kriminal te Çermës në trafikun e drogës, ka kërkuar informacion me letërporosi autoriteteve të huaja.

Çerma u arrestua një ditë më parë, së bashku me 4 bashkëpunëtorët e tij, pas një operacioni të agjencisë amerikane, DEA, ndërsa do të ekstradohet në SHBA.

Ai ishte koka e grupit të trafikut të drogës nga Kolumbia drejt SHBA, ndërsa ishte i lidhur edhe me ‘Klanin e Golfit’ dhe grupe të tjera kriminale për të blerë dhe transportuar kokainën.

Ai merrte para nga grupet kriminale në Europë dhe blinte kokainë në zonën e Cauca në Kolumbi, e më pas garantonte dërgimin e drogës në fluturimet nga aeroporti ndërkombëtari ‘Alfonso Bonilla Aragón de Palmira’. Po ashtu, ai fuste kokainë në SHBA nëpërmjet porteve të ishujve Karaibe. Po ashtu, Çerma dhe bashkëpunëtorët e tij kishin vendosur kontakte me kontrollorët e trafikut ajror, për t’i lejuar ata të nisnin ngarkesën.