“Jam në lëvizje duke bërë emision, por nëse mundesh t’i japësh një mikut tim 2 mijë euro”. Në mes të një bisede në WhatsApp dhe Viber shtetasi B. Stojku besonte se ishte duke komunikuar me Ardit Gjebrenë, këngëtarin dhe showmenin e njohur në vend.

Por, në fakt, Stojku i cili pasi pa edhe fotografinë e Ardit Gjebresë së rremë në numrin nga po i shkruhej, porositi të birin që të dorëzonte shumën tek miku i tij shumë i njohur që ndërkohë nga ana tjetër e telefonit i shkruante: jam në emision dhe më duhet t’ia dërgosh se i duhen për në spital.

“Mendova se ishte Ardit Gjebrea, – rrëfeu më pas në polici burri, i cili u peshkua nga një mashtrues ende i paidentifikuar, i cili fillimisht i shkroi vetëm kaq “çkemi, si je i dashur?”.

Stojku që ndërkohë gjendej duke drekuar ka qenë i bindur se po fliste me Gjebrenë, dhe pasi urdhëroi të birin që të tërhiqte 2 mijë euro i shkroi Gjebresë së rremë.

“Në ç’vend je, do t’i sjellë djali, pasi jam në një drekë me ca miq”.

Kallëzuesi shton në polici se mashtruesi ende i panjohur i tha se do dërgonte një mikun e tij të quajtur Toni dhe më pas ka shtuar “faleminderit shumë nga dreka do të t’i sjell”.

Policia pohon për gazetën “Si” se rreth orës 14.27 minuta, i mashtruari u telefonua nga i biri që i tregoi se paratë i kishte marrë një taksi e verdhë. “Më vonë unë dyshova dhe pas disa orësh mora në telefon Arditin se kë person kishte në spital dhe ai mbeti i shtangur duke më thënë, – nuk kam asnjë person në spital”.

Skema është zbuluar akoma më tej kur të dy burrat kanë folur me detaje për çfarë kishte ndodhur.

Policia deklaron se është marrë dëshmia e Ardit Gjebresë që tregon se miku i tij Stojku e kishte pyetur se si ishte bërë njeriu i tij në spital. Më tej, Gjebrea hedh dritë duke treguar se si ishte vënë në dijeni nga miku i tij që i kishte treguar se dikush i ishte prezantuar si ai dhe i kishte kërkuar 2 mijë euro.

Sipas burimeve policia ka sekuestruar një sërë kamerash mes të cilave zbulohet edhe taksia e verdhë që i është dorëzuar shuma e eurove.

Shoferi tregon “më doli një person i gjatë dhe më ngriti dorën për të ndaluar. Më kërkoi ta çoja tek hotel H. ku ai do merrte një porosi, por që më pas i ka kërkuar të shkojë shoferi ta marrë”.

I. V shton se udhëtoi drejt destinacionit pa e ditur se çfarë porosie do të merrte dhe pasi ka mbërritur në vendin e kërkuar ka telefonuar “punëdhënësin” në numrin që i panjohuri i kishte dhënë.

“Prej aty doli një djalë dhe më dha një zarf me prerje 100 dhe kur ia dorëzova, më bëri përshtypje se ai nuk i numëroi paratë”, shton më tej taksisti.

Policia shton në rrugë anonime se ka identifikuar Arditin e rremë, i cili është P. Halilaj nga Kruja që do të hetohet për mashtrim.