Nga Ilir Mborja

E mbani mend sa herë ju kam thënë se Dyl Dysheku, ish nxënësi im në fund të viteve ’80 në teknikumin bujqësor të mbrëmjes në Cërrujë ku jepja lëndën e marksizmit, nga karrocieri i fermës atëherë, sot është një afarist dyshekësh?

E di mire që ju kam treguar shumë herë, por unë përsëri do ta përsëris atë nder të madh që më ka bërë ai njeri. Kur shkolla e natës u mbyll në ’92-shin dhe mbeta pa punë, gjumi im mori arratinë. S’e kujtoj dot tamam, por, më duket se pas nja një jave pa vënë gjumë në sy, luajta mendsh dhe përfundova në çmendinë. Sa më mbajtën atje, as këtë nuk e kujtoj dot, por, që Dyl Dysheku ishte i vetmi që m’u gjend, këtë s’do ta harroj kurrë. Ditën që dola prej çmendinës, kur gruaja, kalamajtë, të gjithë më braktisën, ai më mori e më punësoi si shitës dyshekësh në një nga dyqanet e tij. Më ktheu përsëri në jetë, më bëri edhe njëherë njeri.

Ja ai, Dyli! Ish nxënësi im më kot së koti, që, kur shpjegoja dikur “Kapitalin” e Marksit, ia fuste gjumit në bankën e fundit. Atëherë kështu, se pas ’92-shit, m’u bë djalë e shkuar djalit. Koha e solli që tani ta dëgjoj unë gojëhapur atë sa herë bie fjala për politikën. Po për ekonominë e tregut?! Çfarë durimi ka dhe sa i ftilluar është Dyl Dysheku kur më shpjegon filozofinë e “kapitalizmit” shqiptar!

Sot erdhi në dyqan dhe, pasi më uroi për Vitin e Ri, më hapi një muhabet që më çuditi shumë. Them kështu, se, siç ju tregova, Dylin unë e mbaja si nxënësin tim më kot së koti e të pavëmendshëm. Kur unë nisja të shpjegoja mësimin, ai ia fuste gjumit. Por sot më la gojëhapur. Më tha se mbante mend që unë, kur i jepja lëndën e Marksizëm – Leninizmit dhe i shpjegoja për revolucionet në teknikumin bujqësor të mbrëmjes, paskam folur njëherë për një ultimatum e ofertë për një rrugë paqësore që Lenini i paska bërë Carit të Rusisë nja një orë para se të niste Revolucionin e tij të Tetorit.

– Ti presor na the një natë në mësim që Lenini ishte për rrugë paqësore dhe revolucionin më 1917-n e bëri nga halli se e detyroi Cari.. Megjithëse ai, Cari domethënë, ishte i rrethuar nga revolucionarët dhe topat e Kryqëzorit Aurora i ishin drejtuar pallatit ku ishte strukur, Lenini, si shpirtmadh që ishte e s’donte gjak e gjullurdi, u tha të vetëve: “Prisni pak o njerëz! T’i çojmë një fjalë Carit se mbase del vetë me të mirë”… Kishte edhe hallin se mos kallaballëku shkatërronte veprat e artit, por Cari, si car që ishte, nuk pranoi dhe Lenini u detyrua që bashkë me urdhrin për sulm të jepte edhe porosinë: “Kujdes veprat e Artit!”. Kështu na the. Të kujtohet?

–  Ç’thua mor Dyl?! Unë po t’ju kisha thënë këto fjalë në ato vite, do të më kishin futur në burg. Pastaj, unë as që i kam menduar ndonjëherë këto gjëra që thua. Patjetër i ke parë në ëndërr, se ti zakonisht flije gjumë në orën time.

–  Jo nuk ishte ëndërr. Dremisja, por veshët i mbaja tek ti. Më pëlqente kur flisje për Leninin. Na i ke thënë që ç’ke me të. E mbaj mend mirë. Na the që ishte dimër në tetor. Përmende edhe Stalinin me Kurshovin. Më kujtohet mire. Po ti presor, mbase nuk mban mend nga ilaçet që merr.

– Si, Si? Përmenda Kurshovin për mirë?! Kur?!

– Jo. Për Kurshovin na the që ishte maskara dhe mashtronte edhe për Leninin, edhe për Stalinin.

– Ashtu?! Tani po kuptoj se përse e ke fjalën. Atëherë duhet të kem thënë këtë që, Kurshovi për të justifikuar revizionizmin e tij, si antirevolucionar që ishte, në Kongresin XX, duke përmendur episodin me ultimatumin për Carin që, i rrethuar në Pallatin e Dimrit dhe me topat e Kryqëzorit Aurora drejtuar atij, ishte 100% i vdekur, Lenini mendoi se mund të dorëzohej. Megjithëse kjo s’ndodhi, pra, edhe pse pa asnjë shpresë për shpëtim, Cari nuk u dorëzua, qerratai Kurshov, për t’ia futur Stalinit e keqpërdori Leninin e gjorë…

“Ja, edhe Lenini është shprehur për rrugë paqësore” – thërriste me të madhe Kurshovi që ngatërronte qëllimisht ultimatumin e revolucionarit me ofertën për rrugë paqësore.

– Po, po. Tamam kështu na e tregove atëherë o presor. Tani m’u kujtua dhe…, tani po kuptoj ndryshimin midis ultimatumit dhe ofertës.

Tani që skadoi afati i ultimatumit të Berishës për Lul Bashën që të lëshojë zyrat e PD-së, merret vesh se çdo bëhet më tetë janar. Do të kemi revolucion te SHQUP-i. Saliu më tetë, si Lenini në tetor.  Apo do të dorëzohet Luli? Si thua?

Kur nuk piu ujë ultimatumi i tetorit të ‘17-s tek Cari që ishte 100% i asgjësuar nga Kryqëzori Aurora, edhe Berisha që është 100% i kryqëzuar nga Amerika, ia futi kot me atë ultimatumin e tij.

Nejse! Më tetë janar do kemi se ç’të shohim në televizor.

– Çfarë? Revolucionin?

– Po, revolucionin.

– Domethënë, ta mbyll dyqanin dhe të ul qepenat më datë tetë?

– Jo. Dyqani nuk do ta mbyllësh!

– Po…?

– S’ka por! Dyqanin mos e mbyll! More vesh? Është ultimatum…