Në një njoftim për media, Gjykata e Lartë bëri me dije se brenda një afati pesë ditor nga përfundimi i procedurës së verifikimit ditën e hënë do të thirret mbledhja e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Fillimisht do të shpallet fillimi i procedurës së vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve në vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese.

Gjatë mbledhjes do të miratohet eksperti për vlerësimin e nivelit të zotërimit të gjuhës së huaj (atë angleze), të deklaruar nga kandidati.

Parashikohet gjithashtu dhe zhvillimi i intervistës me kandidatët e lejuar për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese.

Së fundmi do të diskutohet dhe miratohet lista përfundimtare e renditjes dhe raportit përkatës.

Gjykata Kushtetuese është vënë në funksion me plotësimin e saj prej gjashtë anëtarësh. Janë edhe tre vende vakante, të cilat pritet të plotësohen në vijim.