Ugur Sahin dhe Özlem Türeci janë pionierët gjermanë të teknikës mRna. “Tani duam të mundim kancerin”.

Nga Mathias Döpfner

Në 35 janarin e 2020-ës ishit duke ngrënë mëngjes, ndërsa po bisedonit për virusin e çuditshëm në Kinë. Në të njëjtën ditë ndodhi edhe rasti i parë me Covid në Gjermani. E vërtetë apo legjendë? Ugur Sahin: “Është e vërtetë. Të premten në darkë kisha lexuar një artikull në revistën Lancet. Infeksioni në Wuhan ishte i njohur prej tri javësh. Bëra disa kërkime dhe isha i bindur që epidemia nuk do të limitohej vetëm në Kinë. Biseduam duke ngrënë mëngjes: nuk kishim dyshime se virusi do të arrinte në të gjithë botën. Por e dinim që kishim një teknologji që do të na lejonte të zhvillonim një vaksinë shumë shpejt. E dinim që duhej të bënim diçka”. Özlem Türeci: “Në revistat mjekësore kishim lexuar për sëmundjen e re pulmonare në provincën e Hubei. Ugur nisi të planifikonte hapat e parë për zhvillimin e vaksinës menjëherë. E vendosëm në fundjavë, ndërsa ekipi nisi punë të hënën”.

Në njëfarë sensi, momenti perfekt për të aplikuar njohuritë e teknologjisë mRna në një rast të madh konkret?

S: “Po, edhe pse kishim në mendje shumë gjëra të tjera për 2020, gjithë kërkimin për kancerin, sapo e kishim prezantuar në San Francisco. Papritur, gjithçka ndryshoi”.

Mund të më shpjegosh në fjalë të thjeshta se çfarë është mRna?

S: “mRna-ja është një pjesë e informacionit gjenetik që iu vihet në dispozicion qelizave, një plan specifik për të ndërtuar proteinat. Është një proces natyral i qelizave, ashtu siç merr një hard disk, Adn-ja, dhe iu bën një kopje, Rna-ja, që quhet Rna lajmëtari. E gjetëm shumë interesant këtë lajmëtar, sepse ka një karakteristikë fantastike. Është një vektor informacioni, si një email, që pasi është hapur më pas fshihet. Qeliza kryen funksionin e saj natyral dhe operon sipas instruksioneve tona. Truku, për të qëndruar sërish te shembulli i email-it, është të sigurohemi që mesazhi të mos përfundojë tek spam, por që të përdoret efektivisht për të dhënë instruksione. Nëse arrijmë ta bëjmë në mënyrën e duhur, qeliza bën atë që duhet të bëjë”.

Të mashtrosh sistemin imunitar që të besojë që ka një virus, megjithëse në realitet nuk është?

S: “Po. Është një “stërvitje” e sistemit imunitar pa qenë nevoja për virusin”.

Është e vërtetë që vaksina u zhvillua për 48 orë, dhe gjithë pjesa tjetër e kohës ishte e nevojshme për studime dhe teste?

S: “Po, krijuam 10 kandidatë në një kohë të shkurtër dhe më pas 10 të tjerë. Nuk e dinim se cili ishte kandidati i duhur, sepse dinim ende pak për virusin”.

Pra, e nisët me 20 variante?

S: “Mund të thuhet se vaksina e sotme ishte e disponueshme që në shkurt të vitit të kaluar. Por nuk ishte e qartë nëse do të funksiononte. Duhen të dhëna dhe rezultate klinike nga studime shumë të mëdha”.

Kur ishte momenti i eurekës? Kur e kuptuat: ia dolëm!

S: “Më vonë. Një të diel nëntori. Kishim përfunduar fazën 3 të një studimi me më shumë se 40.000 vullnetarë dhe pritej vlerësimi i një komisioni të pavarur. U zgjuam herët në mëngjes, e dinim që ishte dita e së vërtetës. Kishim krijuar vaksinën më të mirë të mundshme, por nuk e dinim se si do të reagonte virusi. Ishim gati edhe për një vlerësim negativ. Në orën 8 të darkës, kolegët nga Shtetet e Bashkuara na telefonuan. Qëndrova pa frymë 5 sekonda, pastaj zëri nga ana tjetër e linjës thoshte: “Rezultati është pozitiv, me efikasitet më të madh se 90%”. Ky ishte momenti i eurekës”.

Ju ishit jashtëzakonisht të shpejtë, por BE e porositi vaksinën tuaj shumë ngadalë. Jeni të shqetësuar për faktin që Europa duket pak efikase për të gjetur zgjidhje në këtë krizë globale?

S: “Sipas meje nuk duhet të flasim për fajtorë në këtë krizë. Personat me të cilët bashkëpunojmë në BE janë të gjithë të orientuar drejt zgjidhjeve. BE vepron dhe secili duhet të japë kontributin e vet. Jemi në rrugën e duhur”.

Je kaq diplomatik sa mund të punosh edhe për BE-në. Ndonjë këshillë konstruktive për qeverinë gjermane?

T: “Nuk kam një këshille precize. Mendoj që bëhet fjalë për një makinë që ecën për herë të parë: ka nevojë për shumë rrugë për të gjetur një rutinë. Si funksionon shpërndarja? Si transportohet vaksina? Si ruhet? Si informohen njerëzit që duan të vaksinohen . Çfarë duhet bërë me vaksinën që tepron? Janë tema komplekse, duhet një bashkëpunim i shumë aktorëve”.

Mund të thuhet se gjermanët u treguan tepër perfeksionistë dhe pak pragmatikë?

S: “Bëhet fjalë për korrektesë, që është e drejtë, por kemi nevojë edhe për pragmatizëm”.

Me cilën përqindje të vaksinuarish mund të themi që ia dolëm dhe jemi jashtë pandemisë?

T: “Nuk dihet ende. Shumë ekspertë thonë se kur të jemi tek 70%”.

Këshilloni çdo të ri mbi 16 vjeç të vaksinohet?

S: “Po, edhe të rinjtë, por më vonë, pas disa testeve të mëtejshme klinike. Por përqindja e tyre është e rëndësishme për të arritur imunitetin e tufës”.

Kur Gjermania do ta arrijë përqindjen e 70%?

S: “Mund të imagjinojmë se do të ndodhë në fund të shtatorit”.

Objektivi juaj: të mundim virusin apo të bashkëjetojmë?

S: “Virusi nuk do të zhduket. Do të shohim nëse do të kemi nevojë për vaksinim çdo vit apo çdo 5 vite”.

Ju nuk donit të luftonit kundër një pandemie, por të gjenit një terapi për kancerin.

T: “Jemi onkologë. E dimë mjaft mirë se çfarë heqin pacientët e sëmurë me kancer. Terapitë standarde për shumë forma tumorale arrijnë mjaft shpejt limitin, dhe duhet informuar pacienti se fatkeqësisht nuk mund t’iu ofrosh të tjera. Arritëm në përfundim shumë shpejt se mund të bëhet më shumë dhe rezultatet e kërkimit t’i ofrohen pacientit në kohën e duhur. Nuk shikonim asnjë mënyrë tjetër për ta bërë, veç se të bëheshim sipërmarrës. Kemi themeluar kompani dhe OJQ për të zhvilluar ilaçe kundër kancerit. Ideja jonë është të përdorim sistemin imunitar kundër kancerit. Ky është objektivi i  BioNTech”.

Sipërmarrja vlen shumë dhe keni shumë disponibilitet parash. Sa kandidatë ka në këtë moment për ilaçe kundër kancerit?

S: “Kemi 30 kandidatë. Është e vërtetë, suksesi për vaksinën solli një transformim për sipërmarrjen. Për herë të parë pamë të ardhura reale për t’i riinvestuar“.

Sukseset e juaja varen shumë nga të dhënat, nga analizat e të dhënave dhe transparenca e tyre. Izraeli duket laboratori më interesant i koronavirusit, sepse të dhënat e më shumë se 90% të popullsisë janë të disponueshme. Dhe në këtë mënyrë mund të nxirren shumë përfundime. Po për konfliktin e privatësisë?

S: Ideja bazë është: sa më shumë të dimë për pacientin dhe tumorin e tij, aq më mirë mund t’i adaptojmë ilaçet tona. Natyrisht, ne gjenerojmë të dhëna. Për shembull, ekzaminojmë tumorin e pacientit në mënyrë që të zhvillojmë më pas një ilaç të individualizuar. Për të gjeneruar këto të dhëna kemi nevojë për një marrëveshje me pacientin. Nevojitet një modul informativ që duhet të jetë shumë i qartë mbi përdorimin e të dhënave. Kjo është shumë e rëndësishme edhe për ne. Nuk kemi ndërmend të zhvillojmë një model biznesi me këto të dhëna. Të dhënat që kemi nuk janë vënë në dispozicion të askujt”.

Kurrë?

S: “Kurrë”

Pas 100 vitesh, kur të shikojmë pas, do të kujtoheni si shpikësit e vaksinës së parë kundër koronavirusit apo ata që kontribuan në luftën kundër kancerit.

T: “Ne urojmë për të dytën. Kanceri është një e keqe po e madhe sa një pandemi, edhe pse nuk perceptohet kështu”.

Sa gjatë mund të jetojë një njeri?

S: “Nga pikëpamja biologjike, mund të imagjinojmë se me trajnime, jetëgjatësia mund të zgjatet ndjeshëm”.

T: “Është një fushë në të cilën ka shumë progrese, për shembull në mjekësinë rigjeneruese”

Dhe a është mirë të arrish deri në 200 vjeç?

T: “Nëse qëndrojmë të shëndetshëm. Në fund të fundit për këtë bëhet fjalë: të plakemi pa sëmundje dhe dobësi”.

Jeni fëmijë të Gastarbeiter (punëtorë të huaj), ju zonja Türeci keni lindur në Gjermani, ju Sahin në Anadoll. Çfarë lidhjesh keni me Turqinë?

S: “Prindërit tanë kanë vdekur, atje kemi ende shumë të afërm”.

Mes jush flisni gjermanisht?

T: “Po”.

Çfarë mendoni për Turqinë e sotme?

S: “E njohim shumë pak për të dhënë gjykime”.

Çfarë është liria për ju?

S: “Për mua është mundësia për të vendosur vetë se ç’duhet të bësh”.

T: “Është baza e inovacionit, e ndryshimit, e transformimit. Që nuk ekzistojnë pa liri”.

Edhe pse jetoni me vaksina, jeni deklaruar kundër detyrimit për t’u vaksinuar. Për një çështje lirie?

S: “Po, secili duhet të vendosë për vetveten. Por ne kemi garantuar transparencë, që çdokush mund ta bëjë”.

Doja të dija se çfarë është bracaleti që mbani gjithmonë?

S: “Në turqisht quhet Nazar Boncuk. Është një sy që të mbron nga shikimet e liga”.

(Përkthimi nga American Eye)

©️ Welt am Sonntag

Ugur Sahin dhe Özlem Türeci janë fituesit e çmimit prestigjioz “Axel Springer Award. Intervista u zhvillua për këtë rast.