Një ditë më parë ambasada ruse në Tiranë i është drejtuar drejtorit të Komunikimit në Kryeministri Endri Fuga dhe i ka ofruar atij vaksinën “Sputnik V” për Shqipërinë.

Lidhur më këtë çështje, Edi Rama tha se ka menduar se ishte një meme dhe shtoi se ndjen keqardhje për atë postim se nuk i shkon një shteti serioz.

“Unë në fakt kam menduar se kam qenë një meme, ajo që pash që ambasada e Rusisë kishte postuar nga Twitter-i i drejtorit të komunikimit. Mendova se ishte një meme pasi nga një shtet serioz nuk mund të bëhen këto provokime të papërshtatshme. Nuk mund të bëhet një vend qesharak me këto postime. Shpreh keqardhje për këtë dhe nuk shoh arsye që ambasada e Rusisë të përfshihet në prodhimin e memeve”, tha Rama.

Më tej shtoi se Shqipëria është e fokusuar tek vaksinat e prodhuara në SHBA dhe Britani dhe nuk po shqyrtohet mundësia për vaksinën ruse dhe kineze.

“Ne jemi të fokusuar tek vaksinat e Pfizer, Moderna dhe Astra Zeneca dhe komunikojmë me shtetet në BE që po punojnë me këto vaksina. Respekt për vaksinat e tjera, kineze apo ruse, por tani jemi të fokusuar tek alternativat e tjera”, tha Rama.

Një ditë më parë, ambasada e Rusisë në Tiranë postoi një foto “screenshot” të një postimi në Tëitter të drejtorit të komunikimit të Kryeministrisë, Endri Fuga, i cili shkruante se Ballkani Perëndimor ishte lënë sërish vetëm, edhe në krizën e koronavirusit.

Në postimin e saj, ambasada e Rusisë i shprehte gatishmërinë zotit Fuga për të sjellë vaksinën ruse, Sputnik-V, në Shqipëri, duke thënë se 50 shtete kishin aplikuar deri më tani për të blerë 1,2 miliardë doza.