Përhapja e varianteve shumë ngjitëse të koronavirusit po kërcënon të përhapi një valë të katërt. Kreu i Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Rochelle Walensky, ka deklaruar se shifrat e fundit të infektimeve po krijojnë shqetësime.

Rreth 70,000 raste të reja në ditë ishin regjistruar javën e kaluar një numër shumë i lartë. Walensky është shprehur se variantet e reja po përhapen në të gjitha shtetet  dhe po shikohen si një kërcënim real për shumë njerëz.

Ka shumë variante, të Covid-19 që qarkullojnë, por ekspertët e shëndetit janë veçanërisht të shqetësuar për disa prej tyre që duket se janë më ngjitëse, përfshirë ato të zbuluara së pari në Britani, Afrikën e Jugut dhe Brazil.

Varianti britanik shumë ngjitës do të bëhet lloji dominues në SHBA këtë muaj. Duke pasur parasysh këtë, shumë shtete do të rikthejnë masat. Në total, SHBA ka regjistruar 29 milion infeksione dhe 527,000 vdekje në lidhje me Covid-19, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ekspertët janë shprehur se derisa të vaksinohen më shumë njerëz, variantet mund të sjellin një rritje të rasteve, duke kërcënuar sistemet shëndetësore. Më shumë se 2,463 infeksione që përfshijnë variante të reja janë regjistruar në vend, shumica e atyre rasteve janë të variantit të Mbretërisë së Bashkuar.

Numri i vërtetë i njerëzve të infektuar nga variantet e reja në SHBA mendohet të jetë më i lartë. Nuk ka asnjë provë që ndonjë nga variantet shkakton sëmundje shumë më serioze për shumicën e njerëzve që infektohen.

Shkencëtarët besojnë se vaksinat aktuale ofrojnë mbrojtje edhe ndaj varianteve. Deri më tani SHBA ka administruar më shumë se 76 milion doza vaksine.