Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj iu kundërpërgjigj të shtunën akuzave të PD, se bashkia e Tiranës ka taksat më të larta.

Veliaj tha se ka 5 vite që i dëgjon këto deklarata, në një intervistë në Neës24 dhe shtoi se Bashkia Tiranë ka ndërtuar disa shkolla.

“Kam 5 vite që dëgjoj këto muhabete nga një parti që ka një ndjesi faji se s’ka bërë asgjë për Tiranën. E përgënjeshroj PD për shkollat, kemi shkollën ‘Kosova’, ‘Andrea Stefani’, ‘Servete Maci’ është bërë nga e para, Liceu dhe Shkolla e Baletit janë stransformuar. Mund të vazhdoj pafundësisht, por është thjesht deklarata e radhës e atyre që aspirojnë të bëhen deputetë”, tha ai.

Partia Demokratike akuzoi Bashkinë e Tiranës, se ka taksat më të larta në vend.

Përmes përfaqësuesit të PD, Mateo Spaho, demokratët shprehen se Bashkia e Tiranës  ka vendosur më shumë taksa për qytetarët dhe bizneset në vitin e ardhshëm.

Përfaqësuesi i PD, në një deklaratë për mediat, tha se me Projektbuxhetin e vitit 2021 kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj do të marrë rreth 120 milionë euro taksa.