Një 39-vjeçar shqiptar i dënuar i dha fund jetës disa ditë më parë duke u vetëvarur brenda në furgonin e policisë në burgun e Greqisë.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e së enjtes së shkuar, por u zbulua të dielën. Mësohet se viktima është 39-vjeçari, Adem Rusi nga fshati Zvezdë i bashkisë Maliq. Ndërkohë, rrethanat dhe motivet janë ende të paqarta.

Së fundmi, në lidhje me këtë ngjarje të rëndë ka folur vëllai i viktimës, Shkëlqim Rusi. Ky i fundit ka bërë deklaratën e fortë se dyshon se ngjarja e ndodhur nuk është vetëvrasje, por vrasje.

“Unë kisha folur 3 orë para ngjarjes me vëllanë në mënyrë private, më pas më morën në telefon dhe më thanë se  e kemi dërguar në spital  për vizitë mjekësore rutinë, më ka thënë drejtori i burgut. Pastaj më thanë që kishte pirë klorinë dhe pas kthimit nga spitali vari veten me lidhësen e këpucëve. Kjo për mua është e pa pranueshme, është vrasje. Vëllai kishte edhe 2-3 muaj burg që të mbaronte dënimin.

Ai ka folur me të gjithë njerëzit dhe askush nuk e beson që është vetvrasje, atë e kanë vrarë gardianët ata që e kanë shoqëruar.

Ngjarja ka ndodhur në makinën e policisë, sepse ata thanë që ishte vetëvarur në kangjellën e furgonit, kjo është e papranueshme, nuk lejohet shoqërimi i të burgosurit me rrip apo lidhëse për më tepër je me pranga dhe i shoqëruar. Kjo është një përrallë, që thonë autoritetet greke”, është shprehur Rusi.

Vëllai i viktimës ka kërkuar që të bëhet autopsia këtu në Shqipëri dhe të zbardhet e vërteta. Ndër të tjera, ai ka deklaruar se i vëllai i ndjerë nuk kishte asnjë problem me shëndetin mendor.

“Ne kërkojmë që të bëhet autopsia këtu në Shqipëri, pasi presim të vijë këto ditë. Të bëhet autopsia pasi shteti jonë vetëm fle gjumë, janë vrarë shumë shqiptarë atje, pas vëllait tim mund ta ketë radhën dikush tjetër dhe nuk është zbardhur asgjë.

Kemi shkuar në prokurorinë tonë dhe më kanë thënë që nuk kemi akses për hetime. Askush se merr përsipër, nuk duan belara, nuk di ç’të them.

Ne duam të bëhet autopsia dhe të dalë e vërteta. Vëllai nuk ka pasur asnjë problem me shëndetin mendor.

Të varesh në furgon të policisë i shoqëruar nga gardianët nuk e beson asnjë fëmijë. Kërkojmë të zbardhet e vërteta”, është shprehur i vëllai.