Vendimet e arbitrazhit ndërkombëtar, që janë shtuar së shumti vitet e fundit, janë shndërruar në një barrë të madhe për buxhetin e shtetit, që ka nisur rimëkëmbjen pas vitit pandemik. E këtu nuk bëhet fjalë vetëm për detyrimet që duhen paguar pas vendimeve të formës së prerë të gjykatave ndërkombëtare, por edhe për pagesat e avokatëve dhe studiove ligjore, që janë kosto të drejtpërdrejta për financat publike.

Pak kohë më parë, Gjykata ndërkombëtare e Arbitrazhit ka dhënë fjalën e fundit në çështjen Becchetti, duke zyrtarizuar detyrimin prej 110 milionë eurosh ndaj sipërmarrësit italian.

Megjithatë, fatura reale e çështjeve të arbitrazhit shkon përtej kësaj shifre. 44 milionë euro shtesë janë detyrime të çështjes Aktor dhe Copri për rrugën e Elbasanit, 100 milionë euro pretendohen nga kompania Kurum për prishjen e kontratës koncesionare për terminalin e kontejnerëve dhe 9,5 milionë euro të tjera janë detyrime të njohura nga Ministria e Financave.