Norvegjia do të vendosë ushtrinë për të mbrojtur objektet e saj të naftës dhe gazit nga sabotimet e mundshme pasi dy tubacionet e gazit rus që sjellin gaz në Evropë u sulmuan, tha kryeministri norvegjez Jonas Gahr Stoere.

Një rrjedhje gazi si pasojë e sabotazhit të mundshëm të zbuluar në tubacionet e gazit Nord Stream të martën ka shkaktuar konfuzion në tregjet e energjisë dhe ka shtuar shqetësimet e sigurisë.

Norvegjia është aktualisht furnizuesi më i madh i gazit në Evropë dhe furnizuesi kryesor global i naftës.

Rrjeti i gazsjellësit prej 9000 kilometrash

Ajo ka më shumë se 90 fusha gazi dhe nafte në det të hapur, shumica e të cilave janë të lidhura me një rrjet tubacionesh gazi që shtrihen për rreth 9,000 kilometra.

“Ushtria do të jetë më e dukshme në objektet norvegjeze të naftës dhe gazit,” tha kryeministri, duke shtuar se sulmi do të “përgjigjej së bashku me aleatët tanë”.

Norvegjia është anëtare e aleancës së NATO-s.

Në det, marina do të angazhohej për të mbrojtur instalimet detare, dhe në tokë, policia mund të rriste praninë e saj në instalime.

NATO dhe Bashkimi Evropian theksuan nevojën për të mbrojtur infrastrukturën kritike dhe paralajmëruan për një “përgjigje të fortë dhe të bashkuar” nëse do të kishte më shumë sulme.

Kujdes nga avionët e panjohur

Të hënën, Agjencia Norvegjeze e Sigurisë së Naftës bëri thirrje për vigjilencë më të madhe ndaj dronëve të paidentifikuar të parë pranë platformave të gazit dhe naftës në det të Norvegjisë, duke paralajmëruar se ato mund të paraqesin rrezik aksidentesh ose sulmesh të qëllimshme.

Stoere tha se fluturimi i dronëve “kryesisht ndodhi në shtator” dhe se ata ishin të “madhësive të ndryshme” dhe se aktiviteti i tyre ishte “i pazakontë”.

Ai përsëriti se nuk shihte kërcënime specifike kundër sektorit të gazit dhe naftës në det të Norvegjisë dhe nuk kërkoi ndihmë ushtarake nga aleatët.