Kur kanë kaluar 13 vite nga shpërthimi në Gërdec, Zamira Durda nuk e ka marrë ende përgjigjen pse djali i saj i vogël, vetëm 7-vjeç Erisoni ka vdekur, pasi nuk e pranon që ishte një ‘aksident teknologjik’ dhe fajtorët edhe sot enden të lirë pa i hyrë “asnjë gjemb në këmbë”.

Këtë e ka shndërruar në mision jete, e ndërsa sot është më e zhgënjyer se kurrë nga drejtësia e re, tek e cila shpresonte shumë.

GJKKO refuzoi kërkesën e SPAK për të rihapur hetimet për Fatmir Mediun, ministër i mbrojtjes asokohe kur shpërtheu Gërdeci.

Vendim i turpshëm dhe qesharak e ka quajtur ajo në intervistën për Report Tv e ndërsa hedh akuza në drejtim të gjyqtarit Erion Çela, duke thënë se është kërcënuar.

“Për mua ky gjyqtar ka marrë presion, në dhomë Këshillimi një gjyqtar i vetëm nuk kishte nevojë që të mbyllej, vendim i turpshëm, qesharak. Kemi çuar në prokurorinë e rrethit, na thonë nuk kemi akses se është një çështje në gjykatën e lartë, është një vakancë institucionale, me prokurorinë kam qenë në gjyqe, në gjykatën e Apelit, me gjithë këto vendime nuk është hetuar kjo çështje. Kishim shpresa te SPAK se SPAK është krijuar për këto vepra dhe pushtetar dhe ish pushtetarë dhe pritëm që SPAK nuk kishte mendojë që t’i drejtohej gjykatës, por që të riniste vetë hetimet, kjo ishte një mundësi që SPAK të hetonte, nuk ka pse t’i drejtohej gjykatës. Ne i kemi bërë të gjitha hallkat, ca duhet të bëjmë me shumë. SPAK duhet të fillojë që nga emërim që ka marrë aksident teknologjik, më tregoni mua ku ishte teknologjia, Gërdeci më iku nga babëzia për para , më iku fëmija 7 vjeç, aty vepronte ushtria shqiptare, këtë përgjigje të më japin, pse nuk jeton fëmijë ime”, ka rrëfyer Durda.

Durda hedh edhe dyshime se pas këtij vendimi, ka dorë politika, e në këtë rast sipas saj janë bërë bashkë të gjitha palët në përpjekje për të mos lejuar që e vërteta të dalë në dritë. Megjithatë, si një nënë që ka humbur një copëz të shpirtit, nuk do të rresht së kërkuari drejtësi deri në Strasburg.

“Me këto që ka ndodhur, patjetër që janë bashkë, ky vendim këtë thotë, por unë nuk do hesht, këtë çështje e kam në Strasburg. A ka jetuar në Shqipëri ky gjyqtar? S’na ka thirrur askush për të dëshmuar. Mbase për gjyqtarët dhe institucionet shtetërorë mund të mbyllet, por për ne familjarët nuk është mbyllur. Motivi i jetës sime është që të vendos drejtësi për Gërdecit, do vazhdoj se me Gërdecin janë bërë shumë, ata që e bënë, ata që e hetuan, e gjykuan, u gjykuan nga një bandë kriminale, ata s’janë asnjëri në sistemin e drejtësisë”, ka rrëfyer ajo.

Zhgënjimit nga drejtësia e re dhe politika i shtohet edhe ai për SHBA-në. Duke iu drejtuar me emër dhe mbiemër, ambasadores, Yuri Kim, Durda thotë se kjo e fundit nuk mund të flasë për drejtësi, në një kohë kur SHBA-ja i ka ofruar strehim, Luan Hoxhës, ish-shefi i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë, një person që ka dijeni për çështjen. Durda mjaftohet që të ketë një vendim nga gjykata shqiptare, edhe sikur fajtorët të marrin një dënim minimal.

“I drejtohem SHBA-së, ata mbajnë Luan Hoxhën në azil politik, një person që ka pasur dijeni dhe është i dënuar 6 vjet, e kaq mjaftohem, ca drejtësie më flet ajo mua”, shtoi ajo…

Dhimbja për humbjen e djalit të saj, kur ishte vetëm 7-vjeç i është kthyer në forcë dhe pavarësisht lodhjes dhe endjes në gjykata, nuk do e ndalë në rrugëtimin e saj për të kërkuar drejtësi…

“Sot e tij po festojnë ditëlindjen, ai i imi po tretet në dhe, pse, se doli të luajë me biçikletë ky është faji i tij?…”, përfundoi ajo.