“Helmut Marko? Për mua është si një baba i dytë dhe nuk më intreson çfarë thonë të tjerët, dua të fitoj dhe të bëhem kampion bote”. Janë fjalët e Maks Vershtapen, i ftuar bashkë me Marko në “Servus TV”, një televizion i njohur austriak. Holandezi është një pilotët më të talentuar dhe vitin e ardhshëm do të jetë shok skuadre te Red Bull-i me Serxho Perez.

Vershtapen nuk ka kurrë frikë ta thotë atë që mendon. “Para se të futesha në F.1, ishte babai im Jos, tani në bokse është Helmut, – ka shtuar Vershtapen. – Babi gradualisht është tërhequr. Tani jam në një skuadër fantastike, që po përgatitet të rivalizojë me Mercedesin për titullin në 2021-shin. Shpresoj të jetë kështu, mendoj se jam i pjekur për këtë gjë”.

Vershtapen dhe Marko

Piloti holandez, i datëlindjes 1997, më pas ka treguar metodat e ashpra edukative të të atit gjatë rritjes, por që kanë rezultuar afikase në personalitetin e tij. “Po, babai im është shumë i ashpër. Kujtoj që në vitin 2012 më la në autostradë pas një kampionati makinash kart, por pas 10 minutash erdhi më mori. Tani që e kujtoj më vjen të qesh, kanë qenë kohëra të vështira për mua”, – shton Vershtapen.

“Rritja e Maks Vershtapen në pistë duket edhe nga fakti se ai nuk është më aq i paduruar si më parë, – ka thënë Marko. – Për të fituar edhe ne konstruktorët duhen dy pilotë të mirë, prandaj kemi zgjedhur Serxho Perez për 2021-shin. Ai është në momentin më të mirë të karrierës, kurse Aleks Albon (tani pilot i tretë) kishim shumë luhatje, nuk kishim qëndrueshmëri”.