Lëvizja Vetëvendosje është subjekti i parë politik që krijon një televizion të vetin.

Në rrjetin social Facebook, të enjten u transmetua produkti i parë i televizionit të krijuar nga Lëvizja Vetëvendosje, “TVV”.

Por, mediumi televiziv i hapur për herë të parë nga një subjekt politik në Kosovë, do të transmetohet së shpejti edhe në “Youtube”, platformën tjetër online.

“Nga sot kemi filluar me TVV. Këtë medium mund ta gjeni tash e tutje në Youtube”, ka konfirmuar përmes një postimi të shkruar në Facebook, Arianit Beqiri, asistenti i Albin Kurtit.

Televizioni i partisë së Kurtit, i cili është hapur për qëllime propaganduese politike, transmetoi të enjten pasdite në rrjetin social Facebook një intervistë të Besnik Bislimit, nënkryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Lidhur me këtë lajm, ka reaguar edhe Federata e Gazetarëve Evropianë pasi publikisht ka lansuar edhe televizionin e saj partiak.

Siç shkruan EFJ, televizioni i hapur nga partia që drejton Albin Kurti s’ka të bëjë me gazetarinë dhe se është vetëm një mjet propagandues në shërbim të partisë.

 “Televizioni i ri online TVV në Kosovë, i krijuar drejtpërdrejt nga një parti politike. Kjo nuk është gazetari. Kjo është propagandë në shërbim të politikanëve”, thuhet në reagim.