Numërohen 40% e kutive, LVV më shumë vota se PDK, LDK dhe AAK bashkë

Kur janë numëruar më shumë se 40% e votave, LVV rezulton me 47.66% të votave me diferencë të thellë nga partia e dytë që është PDK me 18.61%.

Më pas vjen LDK me 13.74% të votave, e ndjekur nga AAK me 8.58% të votave.

Në numër votash, LVV ka marrë deri tani mbi 143 mijë vota, aq sa nuk kanë marrë të treja bashkë PDK, LDK dhe AAK.

Bien në sy fakti gjithashtu se LDK nuk kryeson në asnjë komunë të vendit.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ishte e para që foli nga radhët e partisë që me sa duket, ka fituar zgjedhjet e parakohshme në Kosovë.

“Festën ta vazhdojmë nëpër shtëpi. Është me rëndësi të mos tubohemi për shkak të pandemisë, por edhe për shkak të temperaturave. E gjithë vëmendje tani duhet të jetë të puna e komisionerëve dhe e vëzhguesve. Prandaj, të mos festojmë në sheshe, por pranë familjes, duke ditur se ne zemra do të jemi pranë njëri-tjetrit”, i bëri thirrje ajo mbështetësve të Vetëvendosjes.

Një pjesë e madhe e mbështetësve janë mbledhur në Prishtinë dhe qytete të tjera, duke festuar fitoren.

Haradinaj: I uroj Lëvizjes Vetëvendosje fitoren, rezultati ynë i pritshëm

Ish-kryeministri i Kosovës dhe njëherësh kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i ka uruar Lëvizjes Vetëvendosje fitoren në zgjedhjet e Kosovës.

Haradinaj është lideri i parë që flet për median pas mbylljes së procesit të votimit dhe shprehet se me trendin e deri tanishëm, Aleanca ka marrë 10% të votave, duke qenë brenda pritshmërive së partisë së tij.

“Më lejoni të uroj Kosovën për zgjedhjet shumë të mira që janë mbajtur sot, të falenderoj të gjithë ata që kanë marrë pjesë në organizmin e zgjedhjeve, të gjithë mekanizmat si nacional, si komunal, KQZ, komisionerët dhe vëzhguesit. Po ashtu dhe qytetarët për një pjesëmarrje të respektueshme, edhe pse në kushte të vështira atmosferike.

Ajo që dimë deri më tani, përpos exit polleve, në pjesën e parë të numërimit hetohet një trend i votës drejt Vetëvendosjes. Konstatohet një fitore e Vetëvendosjes në këto zgjedhje. Shfrytëzoj rastin t’i uroj të gjitha partive, pra edhe Vetëvendosjes fitoren, por edhe partive të tjera. Ajo që shohim me Aleancën, me 10% të votave të fituara nga KQZ, përputhet edhe me parashikimet tona.

Mirëpo, e dimë që ky proces kaq i mirë tani ndodhet në dorë të komisionerëve dhe vëzhguesve që të ruhet vota dhe të përmbyllet ky proces në mënyrën e duhur. Njëkohësisht ajo që e pret Kosovën, është të mos humbë kohë edhe të krijojë institucionet”, u shpreh Haradinaj.