Vllaznia tregohet e pamëshirshme me Skënderbeun, pasi fitoi me rezultatin e thellë 5-1 në “Loro Boriçi” dhe u shkëput edhe më shumë në krye të renditjes, duke shkuar në kuotën e 25 pikëve, momentalisht 8 më shumë sesa Kukësi i vendit të dytë.

Sfida u bë më e lehtë nga sa pritej për kuqeblutë, pasi një gabim në mbrojtje i korçarëve, u shfrytëzua maksimalisht nga Demir Imeri, që dërgoi topin në rrjetë pas vetëm 37 sekondash lojë. Në minutën e 35-të “skenën” e mori sulmuesi vlonjat Ardit Hoxhaj, i cili si një ish i kësaj sfide, arriti të dërgojë topin në rrjetë. Spektakli i Hoxhajt sapo kishte filluar sepse në minutat 42’, 53’ dhe 60’, arriti të shënojë edhe 3 herë të tjera në portën e Skënderbeut, duke kompletuar pokerin e golave në një ndeshje të vetme.

Natyrisht një lloj arritjeje kjo për sulmuesin vlonjat, pasi në Superiore shënimi i 4 golave në një ndeshje është fenomen i rrallë, ndërsa Hoxhaj ngjitet edhe në krye të listës së golashënuesve të kampionatit, me 6 të tillë. Golin e vetëm për korçarët e shënoi Mensah.

Shpëtim Duro pëson humbjen e parë në bankinën e Laçit dhe e bën këtë në Kamëz ndaj Kastriotit, me krutanët që fituan me rezultatin minimal 1-0.

Merr fitoren e dytë sezonale edhe Bylis, që mposhti Apoloninë në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit.