Sot mund të tingëllojë si për të qeshur, por në mesin e viteve 50 tregojnë se, për shkak të numrit të lartë të fletëve të pavlefshme të votimit, në Paris janë përsëritur zgjedhjet për Kryetarin e Bashkisë. Shumë parizienë që hodhën votën në kutitë e votimit i kishin vënë kryq emrave të kandidatëve në garë dhe kishin shkruar në fund emrin: Brigitte Bardo.
“Shakaja” me emrin e ikonës së kinemasë franceze në fletët e votimit, sigurisht nuk funksionoi për ta ulur në karrigen kryesore të Bashkisë së Parisit, por rezultoi fatale për njërin prej garuesëve…

Për këtë situatë, kandidati dëmtuar, akuzoi rivalin e tij si “shpikësin dhe përhapësin kësaj “shakaje”” me qëllim çorientimin e votuesve naivë… Ndërsa një analist serioz e interpretoi ndyshe dhe vuri gishtin tjetërkund për “shpikësin e kësaj shakaje”. Ai mendonte se jo të gjithë parizienët që shënuan emrin e Brigitte Bardo-s në fletën e votimit mund të kenë qenë naivë e të paditur, se kjo mënyrë votimi nuk e çonte seks-simbolin e tyre në krye të Bashkisë së Parisit… Por gjithçka s’ishte gjë tjetër, veç një mënyrë për të kamufluar me kinse naivitet e një fansi përbuzjen për politikën, mashtrimet dhe aktrimin e pështirë të kandidatëve zyrtarë në atë garë…
Këtë histori, qē ma tregoi një shoku im, kisha parasysh kur shkova e votova të dielën më 14 maj…
Tani që procesi i numërimit për votimet në të gjitha bashkitë tona u mbyll, kandidatët fitues u shpallën dhe, gjithashtu, edhe votat e pavlefshme u deklaruan, vendosa t’ju shpjegoj përse votova asisoj…
Por më parë dua t’ju them se, ajo që më bëri përshtypje është jo vetëm numri shumë i madh i fletëve të pavlefshme (në mbarë vendin janë evidentuar gjithsej 39 338 të tilla), por se votime të pavlefshme (kupto: abstenime) paska pasur(!!!) edhe te votuesit me elektronikë në Elbasan, Kamëz dhe Vorë.

Por unë do ndalem te ajo që pamë në një fletē votimi për Kryetarin e Bashkisë time në Shkodër.
Edhe unë, siç e patëm lanë me nji shokun tem, votova për Luiz Ejllin e BBV. Kur hyra në dhomën e fshehtë, poshtë emrave të Benet Becit dhe Bardh Spahisë, shkrova me dorë emrin ‘Luiz X’.
Në fakt, ka mundësi që kët marifet ta kenë ba edhe votues të tjerë, se me thanë të vërtetën, ky që shoh në foto, nuk po më ngjan fort si shkrimi im…

Nejse! Unë, përveç shokut tim, nuk di për raste të tjera me Luiz, por mora vesh se vota të pavlefshme në disa prej bashkive, paskan qenë shumë.
Duke marrë rastin e fletës së votimit me emnin e Luizit, po të shkruaja në stilin e analistit francez dhe humorit të shokut tim shkodran, njoftimin për votat e pavlefshme do duhej ta jepja kështu:
“Përmbledhja e numrit të votave të pavlefshme për Luizin e BBV në Shkodër është 1300, ndërsa për Luizët e BBV-ve në gjithë Shqipërinë është 39 338″…


Sidoqoftë, “naiviteti” i shokut tim shkodran për të votuar Luiz Ejllin, përcjell goxha humor…, Humor të zi madje.
Po të kemi parasysh si e përdorën dhe si i vunë kunorën dhe unazën e martesës në taracën e Big Bashkisë Vendore, Luizit, shkodranit tonë të Big Brother Vip, humori asht i zi krejt. Shumë ma i zi se humori i “shakasë” së parizienëve të Brigitte Bardo-s në vitet 50…
____

Kol Shkodrani