Dy persona janë arrestuar nga policia gjatë hetimeve që po zhvillohen për vrasjen e 32-vjeçarit Albi Bashaliu, ngjarje e ndodhur dy ditë më parë në fshatin Gjormë të Peqinit.

Këta persona dyshohen si përkrahës të autorëve të vrasjes. Ata janë V.B. 41 vjeç dhe M.Xh. 30 vjeç, të dy banues të të njëjtit fshat.

Policia thotë se dy të arrestuarit kanë kryer veprime aktive për të fshehur rrethanat e ngjarjes dhe kanë penguar aktivisht organet e policisë për t’u informuar për ngjarjen, rrethanat si ka ndodhur dhe motivin. Veprimet e tyre për të cilat janë arrestuar, Policia e Peqinit thotë se janë të dokumentuara.

Ndërsa një ditë më parë, policia gjeti në aksin rrugor Gosë-Vilbashtovë të Rrogozhinës edhe makinën e viktimës, një Volkswagen Caddy. Kjo makinë ishte përdorur nga autorët e vrasjes, të cilët pas krimit u larguan nga vendngjarja me makinën e viktimës ndërsa automjetin e tyre e dogjën në vendngjarje pasi pësoi defekt.

Në vendngjarje janë gjetur sende të ndryshme, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provave materiale dhe që u dërguan për ekzaminime të mëtejshme në Institutin e Policisë Shkencore.