Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë në Elbasan ku mbeti i vrarë me armë zjarri ish-kryetari i LSI-së në këtë qytet, Pjerin Xhuvani dhe u plagosën edhe katër persona të tjerë.

Mes të plagosurve janë edhe efektivja e forcave “Shqiponja” Xhensila Sota, dhëndri i Xhuvanit i cili ndodhet në gjendje të rëndë, një person i identifikuar si Emiljano Prenga dhe një tjetër, identiteti i të cilit nuk është konfirmuar ende.

Ngjarja ka nisur kur sekretari i përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi dhe disa persona të tjerë kanë konstatuar dhe kanë hedhur dyshime se në një furgon ku ndodheshin eksponentë të PS-së, përfshirë Pjerin Xhuvanin, ndodheshin shuma parash që do shpërndanin për fushatë.

Autori i dyshuar i vrasjes së Xhuvanit, Arbër Papleka, ish-oficer, ka pranuar se ka qëlluar me armë viktimën, me argumentin se përdori armën për vetëmbrojtje.

“Na qëlluan me armë të parët. Ne qëlluam për vetëmbrojtje”, mësohet të jetë shprehur autori i dyshuar për vrasjen e Xhuvanit.

Dyshohet gjithashtu se drejt trupit të Pjerin Xhuvanit janë gjuajtur rreth 20 plumba.

Vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, Policia jep detajet

Policia e Elbasanit ka dalë me një informacion zyrtar mbi vrasjen e Pjerin Xhuvanit, këtë të mërkurë në lagjen “5 Maji”.

Policia thotë se përveç viktimës janë plagosur edhe katër persona, mes të cilëve edhe një efektive e Forcave Shqiponja, me inicialet XH.S., në përpjekje për të ndaluar krimin.

“Janë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset  rrugore  në hyrje dhe dalje të qytetit të Elbasanit. Gjithashtu, menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor  i përbërë nga specialistë të hetimit  të krimeve kundër personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, të Drejtorisë së Krimeve Kundër Personit e Pasurisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan po vijon intensivisht puna për fiksimin dhe administrimin e çdo prove materiale që do t’i shërbejë zbardhjes dhe dokumentimit të ngjarjes. Ndërkohë janë shoqëruar në Drejtoritë Vendore të Policisë Elbasan dhe Tiranë, disa persona të dyshuar se kanë dijeni apo lidhje me ngjarjen, si dhe është bërë e mundur vënia në pranga e autorit të vrasjes, shtetasi A. P., ish punonjës police.

Vijon puna për kapjen dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje”, thotë Policia.